
Diplomacia ka vënë në lëvizje motorët me fuqi të plotë për të shmangur një luftë në Ukrainë, pasojat e të cilës do të ndiheshin fort në të gjithë Europën. Pavarësisht sinjaleve për progres në kampin politik, dhe garancisë jobindëse të Moskës se nuk do të sulmojë, situata në terren tregon një tjetër realitet. Mbi 100 mijë trupa ruse, tanke dhe artileri e rëndë qëndrojnë prej javësh në gatishmëri, pranë kufirit ukrainas. Mbi 30 mijë ushtarë rusë stërviten në Bjellorusinë fqinje, e po ashtu Ukraina ka intensifikuar propagandën e luftës. Po sa real është kërcënimi për një konflikt të ri në Europë, dhe cilat janë sinjalet nga terreni? Për të kuptuar më mirë situatën lidhemi me producentin e CNN që gjendet në Ukrainë, Tim Lister.
Rosalba Bejdo, A2 CNN: Cila është atmosfera në Ukrainë? A i druhet populli një sulmi apo jeta vazhdon normalisht…
Gjithçka është normale, Rosalba, besoje ose jo. Kam qenë thuajse në të gjithë vendin gjatë javës së fundit, dhe nuk duket se ka ndonjë përgatitje për luftë. Njerëzit janë në dijeni të raportimeve mbi situatën por vazhdojnë jetën. Më të shqetësuar janë për pandeminë e koronavirusit e cila është në nivele të larta aktualisht. Por njerëzit e thjeshtë në Ukrainë thonë se nuk e duan luftën, se nuk mendojnë që do të ketë luftë. Ata besojnë se do të arrihet një marrëveshje dhe ndërkohë vazhdojnë jetën e përditshme. Gjithashtu qeveria këtu përpiqet të përforcojë këtë përshtypje. Po përpiqet të sigurojë qytetarët që të mos përfshihen nga paniku, të jap garanci se nuk ka lëvizje parash, e të përcjellë atmosferë qetësie. Është e vështirë të thuhet nëse njerëzit mohojnë realitetin apo vërtet besojnë se nuk do të ketë luftë. Por momentalisht qytetarët këtu vijojnë jetën si normalisht, dhe nëse del në rrugët e Kievit nuk sheh një vend që përballet me konfliktin, ndoshta javët e ardhshme…
Çfarë mund të na thuash për situatën në kufi. A ka pasur lëvizje apo veprim atje? Por për stërvitjet ruse e ukrainase në Bjellorusi dhe Çernobil?
Kemi ndjekur me shumë vëmendje lëvizjet e ushtrisë ruse përgjatë muajve të fundit dhe mund të themi dy gjëra; së pari, ka stërvitje shume intensive në Bjellorusi mes trupave ruse dhe atyre bjelloruse që përfshijnë avionë luftarakë, tanke, raketa balistike e artileritë tjera të rënda. Por gjithashtu forca të tjera ruse që po dërgohen në Bjellorusinë jugore duket sikur nuk kanë lidhje me këto stërvitje, prandaj kjo gjë përbën mister në vetvete. Përveç kësaj në Krime dhe në zona në lindje të Ukrainës vazhdon të ketë grumbullime të rëndësishme të mjeteve ushtarake apo rritje të suportit logjistik. Pra rreth të gjithë Ukrainës, në të treja anët po shihet shtim i pranisë ushtarake ruse. E njëjta gjë vihet re në Detin e Zi, ku të martën luftanije ruse erdhën nga Bosfori në Detin e Zi. Kështu ukrainasve do tu duhet të hapin sytë nga të gjitha anët. Ata kanë thënë se do të zhvillojnë gjithashtu stërvitjet e veta përgjatë 10 ditëve në vazhdim por megjithatë ne nuk po shohim aq shumë aktivitet ushtarak në anën ukrainase, të paktën jo stërvitje të shkallës së gjerë. Sigurisht ata e dinë se sa e madhe është prania ushtarake ruse rreth kufijve të tyre. Sipas vlerësime, gati gjysma e forcave tokësore ruse janë të vendosur pikërisht pranë kufijve të vendit fqinj. Një numër shumë i lartë, prej më shumë se 100 mijë trupash.
Pavarësisht përpjekjeve për një zgjidhje diplomatike të konfliktit, paralajmërimet nga të dyja palët, (Rusia dhe Perëndimi) sugjerojnë se opsioni ushtarak është në tryezë. Aktualisht, lufta duket me e afër apo më e largët Tim?
Nuk mund ta them dot, pasi kjo është në kokën e një njeriu të vetëm dhe ai është në Kremlin. Ai i mban sekretet për vete dhe ne kemi shumë pak mundësi të kuptojmë vendimmarrjet apo planet e Kremlinit. Por mund të flasim për kapacitetin e Rusisë. Dhe kapacitetet që Moska ka grumbulluar rreth Ukrainës do ta lejonin të niste një luftë, në çdo moment, kur do që të vendosë. Natyrisht, rruga diplomatike nuk është ezauruar, kishim presidentin Macron në Kiev të martën; një ditë më herët ishte në Moskë. gjithashtu kancelari gjerman Olaf Scholtz ishte në Uashington dhe do të shkojë në Moskë në fillim të javës së ardhshme. Macron këmbëngul se ka ende mundesi, që në kuadër të ujdisë së Minskut të arrihet një marrëveshje. Por duhet ta themi se rruga diplomatike po fillon të duket më e ngatërruar dhe nuk ka një rrugëdalje të qartë për momentin. Pas bisedimeve gati 6 orëshe me Macron, Putin u shfaq me tone të ashpra në Kremlin duke sugjeruar se janë shumë të pakta mundësitë për të zhbllokuar krizën e për ti dhënë zgjidhje diplomatike. Në të njëjtën kohë përdori fjalë shumë të rënda dhe fyese për lidershipin ukrainas, pra nuk duket se është gati për kompromis.
Por pas takimit me Macron, u duk sikur putin ishte gati për kompromis. Ai kështu tha, si e interpreton këtë?
Mendoj se kjo ka të bëjë më shumë më interpretimin francez. Francezët mendojnë se arritën të siguronin diçka nga ky takim, se putin ishte dakordësuar të mos ndërmerrte më iniciativa apo manovra ushtarake. Por Kremlini duket se e përmbysi idenë se nga ai takim pati ndonjë rezultat që do të sugjeronte progres sa i përket zgjidhjes së krizës. Në fakt, zëdhënësi i Kremlini Dmitri Peshkov tha këtë mëngjes se nuk e kuptonte se për çfarë po flisnin francezët kur thanë se Putin ishte dakordësuar për të ndaluar lëvizjet e mëtejshme ushtarake. Ka ende rrugë të gjatë përpara. Asgjë nga konferenca që Macron zhvilloi me presidentin ukrainas Zelenskin pasditen e së martës, nuk sugjeroi se hendeku po ngushtohej. Dhe hendeku është i stërmadh. Rusët nuk kërkojnë vetëm që Ukraina t’i bindet të gjitha pikave të marrëveshjes së Minskut e arritur në 2015 por që nuk u implementua kurrë, por gjithashtu një ristrukturim të të gjithë strukturës ushtarake europiane. Ata duan që NATO të tërhiqet në kufijtë e 20 viteve më parë. Kjo nuk do të ndodhë, kështu është e vështirë të shihet rrugëzgjidhja diplomatike, në kohën kur forcat ruse i afrohen Ukrainës gjithmonë e më shumë.
Ashtu siç e the Tim, Macron vizitoi Kievin ku u takua me Zelenskin. Kancelari Scholtz u takua me Biden dhe gjithashtu Boris Johnson ishte shumë aktiv lidhur më çështjen.. Diplomacia po lëviz, a do të ketë rezultate?
Të jem i sinqertë nuk mund ta them dot, Rosalba. Nuk mund të kuptohet shumë se cila do të jetë rrugëdalja për momentin. Duket që perëndimi është i vendosur të shfrytëzojë çdo kartë diplomatike në dispozicion me presidentin Putin. Por analistë e zyrtarë të tjerë me të cilët kemi biseduar mendojnë se Putin e ka ndarë mendjen. Se do të vazhdojë negociatat deri sa të kenë një fund të natyrshëm, por se e ka ndarë mendjen se çfarë do të bëjë. Nuk e dimë nëse do të jetë e mjaftueshme për Vladimir Putin të pranojë një dobësim të Ukrainës, disa lloj garancish apo kompromisi se ajo nuk do ti bashkohej kurrë NATO-s apo BE-së. Kemi kaq pak mundësi qasjeje në vendimmarrjet e Kremlinit. Por për momentin nuk mund të thuash se ka një zgjidhje të qartë. Macron beson në rigjallërimin e marrëveshjes së Minskut dhe se Rusia e Ukraina mund të siglojnë një ujdi mbi të ardhmen e zonave të kontrolluara nga separatistët pro rusë. Por ajo marrëveshje ka mbetur pezull për 6 vite dhe nuk mund të shihet se çfarë ka të re për ta rigjallëruar. kjo është ajo qe Macron po përpiqet të bëjë aktualisht. do të jetë një mision i vështirë. (A2 Televizion)