
I pyetur në studion e Debatit në A2 CNN se a do të ndikojë Sali Berisha në përzgjedhjen e kandidatit në primaret e PD për kryebashkiak të Tiranës, Bogdani e mohoi një gjë të tillë, pasi theksoi se kreut demokrat i intereson një garë e rregullt dhe e drejtë.
“Ideja e primareve është e zotit Berisha dhe kam besimin që e ka bërë me qëllim të pastër që të jetë baza ajo që do të marrë vendime. Ai do të garantojë që gara të jetë e rregullt edhe e drejtë se i shërben demokratëve, ku dalin të gjithë të bashkuar pavarësisht se kush është emri”.
Por ndryshe e sheh analisti Lutfi Dervishi, sipas të cilit Berisha edhe me gjeste mund të japë mbështetje, pavarësisht se primaret janë test për vetë PD-në.
“Primaret janë test për vetë PD, por Berisha me gjeste mund të japë mbështetje edhe duke i lavdëruar të gjithë ka mënyrën e vet për të përçuar mesazhin por mbetet për t’u parë, por është ndikuesi më i madh në garë përmes mënyrave të njohura të tij në politikë. Por e rëndësishme është performanca e kandidatëve”. (A2 Televizion)