
Në fillim të tetorit, qeveria shpalli emergjencën energjetike, e cila do të zgjasë deri më 15 prill të vitit të ardhshëm. Një situatë e vështirë, e imponuar nga rritja drastike e çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare e që padyshim prek Shqipërinë, në kushtet kur jemi të varur nga importi. Përballë nevojës për gjithmonë e më shumë para, por edhe qëllimit parësor, atë të sigurimit të energjisë pa ndërprerje, kompanitë shtetërore, OSHEE dhe OST kanë aplikuar pranë Entit Rregullator të Energjisë për rritje të çmimit të energjisë për vitin e ardhshëm.
Tani i takon ERE-s që të vendosë dhe madje, shpejt. Vendimi ligjërisht pritet të merret deri në fund të dhjetorit. A do të rritet çmimi i energjisë? Kush do të preket nga një rritje e mundshme? A do të shpëtojë bilancin e operatorëve rritja e tarifave apo kemi probleme me menaxhimin?
Për këto çështje u diskutua këtë të mërkurë në A2 Business, ku ndërhyri me anë të një lidhje telefonike edhe Adrian Çela, Administrator i OSHEE, u shpreh se nuk do të ketë rritje për familjet dhe biznesin e vogël.
“Kam dëgjuar se OSHEE aplikon për rritje tarife. Aplikim pranë Entit Rregullator ka bërë Operatori i Sistemit të Shpërndarjes. Nuk do të prekje të tarifës finale, konsumatori familjar dhe biznesi i vogël nuk do të preken”, tha Çela. (A2 Televizion)