Raporti i FMN, mblidhni më shumë nga taksat, përdorini për të varfrit

Nga A2 CNN
8 Dhjetor 2021, 13:22 | Ekonomi

Qeveria duhet të marrë masa për të adresuar të gjitha rreziqet që i kanosen ekonomisë, duke nisur nga taksat, niveli i borxhit dhe reformat strukturore.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka publikuar raportin e plotë mbikëqyrës për Shqipërinë, që pason vizitën virtuale të misionit në fillim të Tetorit.

Parashikimi për rritjen ekonomike mbetet në nivelin e 7.8% për këtë vit dhe 3.8% për vitin e ardhshëm. Diçka që Fondi e sheh si një mundësi për të korrigjuar sistemin tatimor, në mënyrë që të hiqen të gjitha lehtësitë dhe mundësitë për evazion.

Edhe pse në paketën e re fiskale që hyn në fuqi nga 1 Janari, do të zhbëhen disa përjashtime në ligjin e TVSH-së, sipas FMN-së sjellja e qeverisë duhet të kishte qenë më agresive. Madje institucioni kërkon uljen e pragut të përjashtimit nga TVSH 14 milionë lekë për biznesin e vogël, që qeveria premton të jetë në fuqi deri më 2029-n.

Nëse autoritetet shqiptare do të reflektojnë në mënyrë të plotë rekomandimet e Fondit, fitimet në të ardhurat e buxhetit mund të arrijnë në së paku 1.3% të PBB-së. Para që përveç mbylljes së deficitit fiskal dhe uljes së borxhit duhet të shkojnë për mbrojtjen sociale.

FMN nënvizon se sot Shqipëria ka nivelin më të lartë të varfërisë në rajon, 30.8% të popullsisë. Ndaj kërkon një rimodelim të sistemit të ndihmës ekonomike dhe luftë ndaj informalitetit në tregun e punës, në mënyrë që paga minimale të garantohet edhe për 30% të punonjësve që sot janë në të zezë.

Sa i takon politikës monetare, misioni shprehet se duhet të vijojë të jetë akomoduese dhe se norma bazë e interesit mund të rritet vetëm nëse ka një inflacion tejet të lartë. Kjo për faktin se një pjesë e rritjes së çmimeve po zbutet nga rënia e euros. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos