
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka e konsideron si të parakohshëm vendimin për të nxjerrë në tregun e parregulluar dhe tensionin e mesëm.
Nëse sektorët e ekonomisë që furnizohen me këtë tension do të duhet të dalin së shpejti në treg për të siguruar energjinë, sipas Jakës, sigurisht që do të kenë një rritje të çmimit.
Jaka shtoi se qeveria duhet të ketë strategji të qarta për mundësitë që ka për t’i ofruar sipërmarrjeve furnizimin e lirë me energji.
“Duhet të kemi specifikimet e qarta se kush sipërmarrje dhe në çfarë tensioni janë të përjashtuara. Sipas asaj që tha zv/ministri të gjitha ato sipërmarrje që janë në tensionin e mesëm i bie që të jenë në tregun e lirë dhe të parregulluar. Dhe në rastin konkret kemi të bëjmë dhe më një rritje çmimi sepse bursa do të jetë ajo që do të përcaktojë dhe ofertën e tregut, ku është shumë e vërtetë që shumica e sipërmarrjeve janë të orientuara jashtë tregut të tarifave të rregulluara, të bëjnë kontrata 1 vjeçare me çmim fiks. Nuk është e vërtetë që kompanitë fitojnë me raste. Shumica e kompanive shqiptare në sektorin e prodhimit, të cilat kanë kontratë jashtë tregut të rregulluar kanë një çmim fiks për të gjithë vitin dhe sasinë e përcaktuar. Është ende herët që të nxjerrim në tregun e parregulluar edhe tensionin e mesëm. Qeveria dhe MIE duhet të kenë strategji të qarta për resurset që ka Shqipëria për t’i ofruar industrisë shqiptare. Nëse do të jemi gjithmonë të varur nga kriza energjetike, atëherë do të jemi në mëshirë të fatit”, u shpreh Jaka. (A2 Televizion)