
Beteja midis dy manjatëve të rrjeteve sociale, Elon Musk dhe Mar Zuckerberg ka shumë gjasa të zhvillohet në Itali, pavarësisht një deklarate të ministrit italian të Kulturës Gennaro Sangiuliano që skualifikoi Romën për eventin e bamirësisë.
Në muajt e fundit u përfol Koloseu si një arenë e mundshme ku CEO i Meta dhe ai i X (ish-Twitter) mund të sfidonin njëri tjetrin, por Sangiuliano u shpreh se ende po diskutojnë për vendin dhe detajet e organizimit.
"Ne po diskutojmë organizimin, por eventi i bamirësisë nuk do të jetë në Romë", tha ai.
"Kam pasur një bisedë të gjatë dhe miqësore me Elon Musk, kemi biseduar për pasionin e përbashkët për historinë e Romës së lashtë. Ne po diskutojmë se si të organizojmë një ngjarje të madhe bamirësie, duke respektuar dhe mbrojtur plotësisht vendet historike”, shtoi ai më tej.
Bisedimet me Sangiuliano por edhe kryeministren italiane Georgia Meloni, i konfirmoi edhe vetë Musk pasditen e sotme me një postim në X.
Por, ndryshe nga ministri i Kulturës ai la të kuptohet se dueli do të realizohet në një “arenë gladiatorësh” duke e quajtur lokacion epik, ndërsa korniza pas do të jetë Roma e lashtë.
Ai gjithashtu rikonfirmoi se beteja në ring do të transmetohet drejtpërdrejt në platformat X dhe Meta.
"Lufta do të menaxhohet nga fondacionet e mia dhe të Zuck (jo UFC). Livestream do të jetë në X dhe Meta. Gjithçka pas kornizës së kamerës do të jetë Roma e lashtë, pra asgjë moderne. Kam folur me kryeministren e Italisë dhe ministrin e Kulturës. Ata kanë rënë dakord për një vend epik”, shkroi Musk.
"Gjithçka do të respektojë të kaluarën dhe të tashmen e Italisë. Dhe të gjitha të ardhurat do të shkojnë për veteranët."
Përveç referencës për Romën e lashtë, Musk postoi edhe fjalën "gladiator" me dy emoji të shpatave të kryqëzuara. Kjo bën akoma përdoruesit e X që të spekulojnë se beteja në kafaz mund të zhvillohet në Koloseum, që është amfiteatri më i madh në botë ku mbaheshin garat gladiatorësh gjatë Perandorisë Romake. (A2 Televizion)