Është shtyrë sërish seanca gjyqësore ndaj Arbër Paplekajt, të akuzuarit për vrasjen e mjekut Pjerin Xhuvani më 21 prill të vitit 2021. Mësohet se data 9 janar është data e radhës për seancën gjyqësore që pritet të mbahet ndaj Paplekajt.
Avokatët mbrojtës të të pandehurit, kanë kërkuar që t’u jepet kohë për t’u njohur me provat lidhur me ngjarjen, ndërsa kërkuan gjithashtu edhe vënien në dispozicion të listës së dëshmitarëve, pasi sipas tyre ende nuk e zotërojnë.
Sipas avokates së familjes Xhuvani në total Prokuroria ka kërkuar të dëshmojnë 59 dëshmitarë , por ajo nuk beson se referimet e tyre do të ndryshonin rrjedhën e deritanishme. Sakaq në lidhje me faktin se në rrobat e viktimës dyshohet se është gjendur lëndë narkotike, e cila mund të ketë pasur ndikim në rrjedhën e ngjarjes, avokatja Tahiraj u shpreh:
“Nuk kam asnjë informacion në lidhje me këtë çështje. Kur të marr të dhëna në lidhje me këtë, do të dal në një deklaratë”.
Seanca e sotme zgjati më shumë se dy orë. Ajo mund të konsiderohet ndër më të gjatat mbajtur qysh nga nisja e procesit gjyqësor, pasi prokurori ka pasur në dispozicion një material voluminoz për të referuar.
Kujtojmë se Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë në Elbasan, pasi u qëllua me armë nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Nga ngjarja e 21 prillit, të plagosur mbetën edhe katër persona të tjerë, Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota, punonjëse e policisë. (A2 Televizion)