Pas pamjeve tronditëse të civilëve të vrarë, ka pasur thirrje të shumta për të hetuar krimet e luftës nga Rusia në Ukrainë. Por ka dyshime nëse sulmet ruse ndaj civilëve kanë qenë të qëllimshme dhe taktika të strategjisë së tyre brutale. BBC ka analizuar një seri sulmesh në Chernihiv për të parë nëse këto aludime janë të vërteta dhe nëse ushtria ruse, realisht ka pasur target kryesor civilët.
1. Synimi i drejtpërdrejtë i civilëve
"Ata po na qëllonin me gjithçka që kishin", thotë Diana, 20 vjeç. Brenda pak minutash kur përballë tyre u shfaq një tank rus, gjysma e familjes së saj vdiq. Diana, nëna e saj Irina, partneri i saj Sasha dhe vëllai i tij i vogël Maxim, po iknin nga Chernihiv, më 9 mars, pas disa javë granatimesh. Qëllimi i tyre ishte i thjeshtë.. të shkonin në një vend të sigurt në perëndim, ku të afërmit i prisnin. Por fati nuk deshi kështu! Diana përjetoi një nga ngjarjet më të tmerrshme në jetën e saj, kur pa se si familjarët dhe të afërmit u qëlluan me breshëri plumbash.

"Ne kishim kohë të shpreheshim se e donim njëri-tjetrin. E pyeta burrin tim: "A do të vdesim këtu?" Ai tha: “Me siguri”. Mamaja ime po përpiqej të shpëtonte teksa zvarritej mes plumbash. Kthehesha dhe thosha: “Mama, zvarritu, të lutem, të lutem!”. Ajo thoshte: “Po, po!”. Dhe pastaj u shtri në tokë. Ajo vdiq atje. "
Diana dhe Sasha mbijetuan dhe ajo shkoi në spital. Për të nuk ka dyshim se sulmuesit ishin rusë për shkak të theksit të tyre, uniformave dhe simbolit Z të vendosur në një nga tanket.
Sulmet të tjera ndaj civilëve në makina
- Autoritetet rajonale thonë se të paktën 25 civilë, duke përfshirë gjashtë fëmijë, janë vrarë gjatë përpjekjeve për t'u larguar me makinë nga Chernihiv, ose janë sulmuar në vende publike, që nga fillimi i konfliktit.
- Pamjet e filmuara nga një dron ukrainas në rajonin e Kievit, tregojnë se si u vra një qytetar teksa po dilte nga një makinë. Bashkëshortja e tij u qëllua për vdekje brenda automjetit.
- Në rajonin Kherson të Ukrainës jugore, sipas të afërmve, një familje prej pesë anëtarësh u vra nga ushtarët rusë në një pikë kontrolli.
2. Ndërprerja e shërbimeve bazë
Uji është nevoja më themelore e njeriut dhe ka dëshmi të shënjestrimit të qëllimshëm rus të furnizimit në Chernihiv. Një pikë e tillë në periferi të qytetit u godit më 14 mars. Sulmi dëmtoi rëndë rezervuarin e ujit dhe shkatërroi një dhomë kontrolli. Në uzinë, ndodhej edhe një punëtor së bashku me tre anëtarë të familjes së tij, që mbetën viktimë e këtij sulmi. Fotot e publikuara tregonin dëmet dhe kratere të vogla në tokë, të shkaktuara nga bombardimet.

Kreu i Ndërmarrjes së Ujësjellësit thotë se vendi u godit tri ditë me radhë.
"Nuk kishte asnjë objektiv ushtarak. Unë jam 100% i sigurt se trupat ruse kanë shkatërruar infrastrukturën e qytetit në mënyrë që të mos ketë gaz, energji elektrike apo ujë në qytet. Dy objekte të tjera gjetkë u shkatërruan gjithashtu, duke ndërprerë ujin për shumicën e popullsisë së qytetit. U paramenduan sulme ndaj objektivave të domosdoshëm për jetën civile, siç janë furnizimet me ujë. Kjo është bërë për të futur popullsinë në panik. Rusia ndoshta shpreson se nëse ka një katastrofë humanitare, autoritetet lokale do të bien dakord për të filluar negociatat dhe se qyteti do të dorëzohet."
Malyavko, Kreu i Ndërmarrjes së Ujësjellësit

3. Mohimi i përgjegjësisë
Ishte mëngjesi i 16 marsit dhe gazetarja ukrainase, Alina Klimenko, shkoi të merrte ushqime në qytet. Babai i saj, Vitalii, nxitoi të bashkohej gjithashtu në radhë. Por pas pak minutash, ai u largua pasi një shtëpi aty pranë u bombardua. Të tjerët, tashmë të mësuar me zhurmën e granatimeve në qytet, qëndruan. Alina vrapoi për të filmuar pasojat dhe BBC ka konfirmuar vërtetësinë e videos së saj. Të paktën 14 civilë vdiqën, sipas autoriteteve ukrainase. Babai i Alinës, i cili ka një ish-ushtarak, thotë se sulmi kishte ardhur nga verilindja e qytetit, zonë ku vepronin njësitë ruse.
Ambasada e SHBA-së në Kiev fillimisht raportoi se forcat ruse në qytet kishin qëlluar për vdekje civilët. Kjo u mohua shpejt nga Moska, e cila tha se nuk kishte trupa ruse të pranishme në qytet. Por rusët shkuan më tej, duke thënë se ngjarja ose ishte inskenuar, ose se të vrarët ishin viktima të "nacionalistëve ukrainas". Ka pasur shumë shembuj të tillë që mohohen nga qeveria ruse.

Raste të tjera të mohuara
- Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, pretendoi se pamjet e trupave në Bucha ishin "inskenuar", pasi rusët u tërhoqën. Imazhet satelitore e kundërshtuan këtë dhe BBC hodhi poshtë pretendimet e tjera të bëra nga zyrtarët rusë.
- Ambasada ruse në Londër pretendoi në mënyrë të rreme se bombardimi i një materniteti në Mariupol në mars ishte inskenuar. BBC gjeti prova për të hedhur poshtë pretendimet e tyre.
- Rreth 300 njerëz u vranë në një sulm në një teatër që strehonte civilë në Mariupol. Rusia ka mohuar kryerjen e sulmit, i cili është dënuar gjerësisht.
4. Dëshmi për krime lufte?
Për të nisur ndjekjen penale për krime lufte është me rëndësi marrja e provave të qarta se civilë janë qëlluar qëllimshëm. Imazhet dhe deklaratat e dëshmitarëve okularë mund të jenë pika fillestare, thotë prof. Alex Whiting, një ish-koordinator i hetimeve në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.
Hetuesit do të duhet të trajtojnë një sërë pyetjesh themelore:
- A ka gjasa që këto objektiva të jenë perceptuar si ushtarakë?
- A kishte ndonjë objektiv ushtarak në zonë?
- A mund të ketë qenë shënjestrim i bazuar në burime të gabuar?

Gjatë gjithë konfliktit, shërbimet e inteligjencës ukrainase kanë publikuar komunikime të dyshuara të përgjuara midis forcave ruse. Në njërën, një burrë me theks rus dëgjohet duke u urdhëruar të qëllojë në një makinë civile. Gjithsesi, duket thënë se autenticiteti i këtyre bisedave nuk është verifikuar nga BBC.
Sareta Ashraph, një eksperte në ligjin e të drejtave të njeriut, thotë se hetuesit do të analizojnë me saktësi nëse objektet e ujit, spitalet apo supermarketet ishin goditur qëllimisht, si pjesë e strategjisë ushtarake. Ajo thotë se duke parë zhvillimet aktuale të luftës në Ukrainë, i kujtohen taktikat ruse në konfliktet e mëparshme. “Unë do të thosha se veprimet e Rusisë në Ukrainë ngjasojnë shumë me veprimet në Siri”, u shpreh Ashraph. (A2 Televizion)