
Kryeministri Edi Rama ka premtuar tatimin progresiv, por me një heqje të taksave për biznesin e vogël, konkretisht tatimin mbi fitimin dhe TVSH-në për një periudhë 10-vjeçare.
Sipas ekspertit Enea Janko, “përfitimin nga kjo ulje do ta kenë 200 kompanitë më të mëdha të biznesit shqiptar, me rreth 45-50% të kësaj uljeje”.
“Pjesa tjetër shkon për bizneset e mesme dhe të vogla. Administrata do ta ketë më të lehtë menaxhimin e taksimit të sheshtë. Ne jemi në nivel të ulët të administratës fiskale dhe nga kjo pikëpamje taksimi i sheshtë është më i favorshëm”, tha Janko në “A2 Businnes Week”.
Sipas ish-ministrit të Financave Arben Malaj, “vendosja e uljes së taksave në qendër të debatit është tipike për liderët që nuk bëjnë reformat e duhura në ekonomi”.
“Jemi në minimumin e mbështetjes buxhetore për sektorët jetikë që përcaktojnë rritjen ekonomike dhe të ardhmen e vendit tonë, si shëndetësia apo arsimi. Kur bëhet një politikë tatimore, ka parasysh normat që do të aplikohen që tatimi progresiv mos të vrasë interesin për punë apo investime. Duke përdorur në qendër të debatit uljen e taksave, kjo është tipike për liderët që nuk bëjnë reformat e duhura në ekonomi. Nuk funksionon thjesht ulja e taksës në një ambient me keqadministrim dhe ku ka babëzi”, theksoi Malaj.
Ish-ministri tjetër i Financave, Ridvan Bode, nënvizoi se “niveli i lartë apo i ulët i taksave nuk ndikon në konkurrencë dhe në oreksin e investimeve private”.
“Në nivel rajonal, niveli i taksimit të një vendi është më atraktiv për kapitalin në krahasim me një vend tjetër. Copëzimi i sistemit, krijimi i favoreve dëmton konkurrencën dhe e dobëson ekonominë, shtoi Bode.
Sipas Maksim Casllit, drejtor ekzekutiv i Deloitte, Shqipëri dhe Kosovë, “heqja e taksës së biznesit ndihmon, por heqja e taksës së TVSH-së është gabim sepse prish sistemin”. (A2 Televizion)