Pandemi dhe zgjedhje, Civici: Politika të tregojë kujdes, nevojitet konsensus

Nga A2 CNN
22 Shtator 2020, 08:49 | Ekonomi
Pandemi dhe zgjedhje, Civici: Politika të tregojë kujdes, nevojitet

Të dhënat e INSTAT tregojnë se mesatarisht rreth 50 mijë persona kanë humbur vendet e punës në 6 muajt e parë të këtij viti, krahasuar me fundin e 2019-s. Shërbimet, prodhimi dhe industria shqiptare, gjithashtu, janë goditur, duke dobësuar eksportet dhe çekuilibruar treguesit buxhetorë.

Ardian Civici, doktori i shkencave në ekonomi, për një panoramë të situatës ekonomike në pandemi dhe rrugëdaljet prej saj, ishte i ftuar në Dita Jonë.

Civici i bëri një analizë të ndikimit të pandemisë në ekonominë shqiptare, ndërsa thekson se 50 mijë persona që kanë humbur vendin e punës në këto 6 muaj vijnë kryesisht nga biznesi i vogël dhe nga sektori turistik.

“Situata nga goditja e pandemisë kishte shumë pikëpyetje në fillimet e saj, por një gjë ishte e qartë, se fakti i izolimit total do të kishte efekte negative. Që në fillim të muajit mars, institucionet ndërkombëtare patën vlerësime shumë të zymta. Sa më e dobët dhe sa më e pa strukturuar të jetë një ekonomi aq më të mëdha janë pasojat. Sot, ekonomitë e zhvilluara llogarisin që vitin e ardhshëm të kenë një rritje deri në 5%, ndërsa në ekonominë shqiptare rritja pritet të jetë më e ngadaltë. Tashmë situata është e qartë. Shqipëria u godit shumë në radhë të parë në sektorin e shërbimeve, në sektorin e eksporteve. Ndërsa ndërtimi rezulton më pak i prekuri nga pandemia. Ndërkohë, turizmi që ka qenë një lokomotivë e ekonomisë shqiptare është gati në gjysmën e parashikimeve. Të mos harrojmë që edhe ata 50 mijë persona që kanë humbur vendin e punës në këto 6 muaj vjen kryesisht nga biznesi i vogël dhe nga sektori turistik.

Për Civicin, këtë vit duhet të ketë një konsensus mes palëve politike për t’iu përgjigjur situatës dhe ringritjes ekonomike sesa qëllimit final të fitimit të zgjedhjeve.

“Planet e rimëkëmbjes nënkuptojnë një ndërhyrje 2 deri 4-vjeçare. Por në Shqipëri kemi vit zgjedhor edhe në të kaluarën këto vite kanë qenë vite premtimesh dhe rezultatet ekonomike të të gjithë viteve ekonomike kanë qenë të dobëta. Këtë vit duhet të ketë të paktën një konsensus mes forcave politike, por edhe një përgjegjshmëri më të madhe në programet afatmesme të rimëkëmbjes, më shumë për t’iu përgjigjur situatës dhe ringritjes ekonomike sesa qëllimit final të fitimit të zgjedhjeve”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos