
Qeveria i është rikthyer premtimeve të kohës së pandemisë për të ndihmuar biznesin e vogël. Kjo kategori përjetoi edhe dëmin më të madh ekonomik për shkak të mbylljes së vendit në karantinë, por edhe rënies së fortë të aktivitetit ekonomik.
Në një dalje për media, kryeministri Edi Rama njoftoi heqjen e tatim-fitimit dhe TVSH-në për këto subjekte duke nisur nga janari i vitit të ardhshëm, periudhë që përkon edhe me vitin elektoral.
“Bizneset e vogla që kryejnë një xhiro deri në 14 milionë lekë të reja nuk paguajnë asnjë tatim-fitimi. Bizneset e vogla deri në 10 milionë lekë të reja, nuk paguajnë as TVSH, zero”, deklaroi Rama.
Ministrja Anila Denaj prezantoi shifrat zyrtare të numrit të bizneseve të cilat përfituan nga paketa e parë financiare.
“Janë 65 mijë përfitues të paketës së parë, me një total prej 5.1 miliardë lekësh, dhe më shumë se 39 mijë biznese. U diskutua shumë pse u ul pragu i TVSH, dhe për një periudhë kohe shkoi në 2 milionë lekë, por u formalizua rreth 13 mijë biznese”, sqaroi Denaj.
Përfituan më shumë se 39 mijë biznese, 13 mijë u formalizuan. Sipas Arben Ahmetaj, ka një rritje të dyfishtë të fitimit të tatueshëm të bizneseve.
“Fitimi i tatueshëm në 2014 për bizneset e vogla ka qenë 16.8 milionë dollarë. Ndër vite kjo shifër ka ardhur në rritje, në 2018 ka qenë 40 milionë dollarë, është rritur me dy herë”, kujtoi Ahmetaj.
Më tepër sesa për peshën e tyre në të ardhurat buxhetore, bizneset e vogla kanë rëndësi për nivelin e lartë të punësimin, pasi pjesa dërrmuese janë të vetëpunësuar dhe biznese familjare. (A2 Televizion)