
Viti i ardhshëm është një vit zgjedhor dhe politika ka nisur diskutimin publik për nivelin e taksave. Kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste i qëndron taksës progresive me premtimin për ulje të nivelit të tyre për biznesin e vogël. Më saktësisht, heqjen e tatimfitimit dhe TVSH-së për këtë kategori. Teksa opozita dhe kreu i demokratëve, Lulzim Basha, premton rikthimin e taksës së sheshtë në nivelin e 9%, më pak sesa ajo e zbatuar më herët nga demokratët kur ishin në pushtet. Taksë e sheshtë apo progresive? Kush paguan më shumë dhe kush përfiton më shumë?
Në A2 Business Week, kësaj pyetjeje i dhanë përgjigje ekspertët e ekonomisë.
Ridvan Bode, ish-ministër i Financave, u shpreh se taksa e sheshtë ka më shumë të mira sesa ajo progresive: “Mendoj që taksa e sheshtë paraqet më shumë avantazhe. Taksa e sheshtë është më e mirë, si për të garantuar të ardhurat e nevojshme për shpenzimet publike, ashtu edhe për të qenë neutrale në raport me zhvillimin e ekonomisë dhe politikave të çdo qeverie dhe është më e lehtë për t’u administruar, duke mos krijuar mundësi për marifete. Nëpërmjet një takse të sheshtë luftohet edhe informaliteti pa iu kundërvënë kapaciteteve investuese të biznesit. Një taksë e sheshtë e ulët është më inkurajuese për të luftuar evazionin”.
Eksperti i ekonomisë Enea Janko mendon se taksa progresive duhet të ishte vendosur mbi të gjitha të ardhurat, jo vetëm mbi pagat.
“Për mua, progresiviteti duhet të ishte mbi të gjitha të ardhurat e siguruara nga të gjitha burimet: pagë, divident, qira apo të drejtat e autorit. Me këtë sistem është dëmtuar më tepër shtresa e mesme, ata që kanë investuar më shumë në shkollim. Unë jam për sistemin progresiv, por të jetë më i butë për ata që paguhen 100 mijë apo 200 mijë lekë në muaj. Këto paga nuk duhen konsideruar të larta. Jam për taksën progresive sepse, sipas meje, ata që fitojnë më shumë, duhet të paguajnë më shumë”, tha Janko.
Ndërsa Arben Malaj, ish-ministër i Financave, theksoi: “Tatimi nga të ardhurat nuk zë peshë të konsiderueshme në buxhet, por sistemi i taksës ka ndikim të konsiderueshëm për të mos vrarë interesin për punë dhe për investim. Nga studimet makroekonomike, konsumi dhe investimi privat janë përcaktues për rritjen ekonomike. Ekonomia jonë ka nevojë për nxitje investimi dhe konsumi. Kur u aplikua taksa e sheshtë 10% debatuam me kolegët e PD-së dhe pamë që rritja ekonomike ra dhe borxhi publik vazhdoi të rritej. Pra, gjithçka varet”.
Për Maksim Casllin, drejtor ekzekutiv i Deloitte, Shqipëri dhe Kosovë, “taksa progresive është përdorur fatkeqësisht vetëm për pagën, jo për çdo të ardhur”.
“Dihet tani që kjo gjë nuk ka pasur efektet e duhura. Edhe vetë zoti Edi Rama tha se do të rishikohej kjo taksë. Çdo lëvizje që bëhet qoftë për taksën e sheshtë, qoftë për taksën progresive duhet të ketë një objektiv të caktuar. Objektivi duhet të jetë rritja e të ardhurave të buxhetit të shtetit. Çdo lëvizje fiskale duhet të ketë objektiv zhvillimin e ekonomisë”, tha Caslli. (A2 Televizion)