Xhepa: Nëse vazhdon kriza politike, ekonomia do të shkojë keq e më keq

Nga A2 CNN
10 Korrik 2019, 21:21 | Ekonomi
Xhepa: Nëse vazhdon kriza politike, ekonomia do të shkojë keq e

Eksperti i ekonomisë Selami Xhepa, i ftuar në studion e “A2 Business Week”, u bëri thirrje politikanëve t’i japin fund sa më shpejt krizës politike, pasi, sipas tij, “ekonomia do të shkojë keq e më keq”.

“Kriza politike po e rëndon situatën ekonomike dhe unë jam i shqetësuar se mund të shndërrohet në një trend afatgjatë. Qytetarët janë të mërzitur, po largohen. Edhe bizneset po largohen. Investitorët seriozë, ata afatgjatët, nuk vijnë më. Po afrohen vetëm ata me qëllime afatshkurtra”, deklaroi Xhepa.

“Krizës politike duhet t’i jepet fund sa më shpejt, përndryshe ekonomia do të shkojë keq e më keq”, shtoi eksperti i ekonomisë.

I të njëjtit mendim ishte edhe Maksim Caslli, drejtor i “Deloitte Albania”.

“Konsumatori dhe biznesi janë të frikësuar dhe qeveria nuk nxjerr dot taksa kur biznesi nuk investon. Është një zinxhir që ndikon te të gjithë. Drejtuesit duhet të mendojnë që përveç konfliktit politik, është edhe një ekonomi ku ushqehemi të gjithë”, theksoi Caslli.

Selami Xhepa nënvizoi edhe se ekonomia jonë “nuk mund të bazohet vetëm te bujqësia dhe turizmi”.

“Nuk mund të jenë shpëtimi i ekonomisë 10 milionë turistë sepse ata do të lënë mbetje që do të kenë kosto. Edhe vendet evropiane që kanë turizmin e zhvilluar po vendosin taksë për turistët. Ndërsa bujqësia nuk është fytyra e ekonomisë së ardhshme. Nga 20% e GDP-së duhet të shkojë 3%”, u shpreh Xhepa. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos