Ekipi i A2 CNN, me gazetarët Jul Kasapi dhe operatorin Mand Qafoku, ka mbërritur mbrëmjen e sotme në epiqendrën e tërmetit, në Gaziantep të Turqisë. Në një lidhje me studion e Debatit, gazetari Kasapi tregoi më shumë detaje nga situata atje, ku grupet e shpëtimit vijojnë punën manualisht, duke hequr një nga gurët dhe blloqet e betonit për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat.
“Situata është tejet e rëndë, bëhet fjalë për 240 km rrugë nga Adanaja dhe mbërritëm për më shumë se 5 orë, jemi në një nga zonat më të prekura në lagjen Ibrahim Li. Grupet vazhdojnë punën për të nxjerrë të mbijetuar në rrënoja. Janë fikur mjetet e tonazhit të rëndë dhe puna vijon manulisht për të hequr një nga një gurët dhe blloqet e betonit. Mbi 5 mijë persona kanë humbur jetën nga tërmeti me magnitudë 7.8. Epiqendra në qytetin ku ndodhemi në Gaziantep, por edhe në Siri e Marash. Është lagjia më e prekur në Gaziantep. Ajo që të bën përshtypje apo pjesa e dhimbshme është kur familjarët vijnë dhe pozicionohen në këtë grumbull sendesh personale për të identifikuar dhe parë nëse mund të gjejnë veshje apo sende të familjarëve të tyre. Puna vijon ende. Ka pasur një pauzë se herë pas herë kërkohen të dëgjohen persona që mund të kenë mbetur nën rrënoja. Ne sot patëm mudnëis të takonim Forcat e Sigurisë së Kosovës që kanë shkuar në Turqi për të dhënë ndihmën”, raportoi Kasapi. Mbi 50 shtete i kanë ofruar ndihmë Turqisë në këtë fatkeqësi, mes tyre edhe Shqipëria.
Ndërkohë bilanci i viktimave nga tërmeti në Turqi dhe Siri tashmë vijon të rritet orë pas ore. Aktualisht ka shkuar në mbi 6300 numri i personave që kanë humbur jetën. Autoritetet thonë se mbi 4500 persona kanë vdekur në Turqi, ndërsa mbi 1800 në Siri.
Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tregon se nga ky tërmet janë prekur më shumë se 23 milionë njerëz.
Dr. Margaret Harris tha për BBC se “shumë spitale nuk funksionojnë dot, pasi u mungon energjia elektrike”. Në lidhje me numrin e saktë të viktimave, ajo u shpreh: “Derisa të pastrohet gjithçka nga rrënojat, nuk do e dimë me saktësi numrin e personave që kanë humbur jetën”. (A2 Televizion)