A2 siguron draft-vendimin: BE jep dritën jeshile për çeljen e negociatave

Nga A2 CNN
23 Mars 2020, 15:22 | Politikë

Bashkimi Evropian do t’i japë dritën jeshile çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut, thuhet në një dokument të parë nga A2.

“Në vazhdën e progresit të shënuar në reforma dhe përmbushjen e kushteve të vendosura unanimisht nga Këshilli në Qershor të 2018-s, Këshilli Evropian vendos të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, thuhet në draft-vendim.

Megjithatë, më tej në dokument, thuhet se para konferencës së parë ndërqeveritare, Shqipëria duhet të plotësojë kushtet e përcaktuara nga Bundestagu gjerman, përfshirë implementimin e reformës elektorale, sigurimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Lartë dhe finalizimin e strukturave anti-korrupsion dhe kundër krimit të organizuar. Listës i shtohen gjithashtu kërkesat për frenimin e azilkërkueseve dhe ndryshimi i ligjit të medias sipas rekomandimit të komisionit të Venecias. Adresohen gjithashtu shqetësimet e Athinës për respektimin e të drejtave të minoritetit grek në vend. 

Edhe agjencia e lajmeve Reuters raportoi të hënën se Këshilli Evropian do të japë dritën jeshile, mbi bazën e një draft-vendimi unanim. Burime diplomatike të cituara nga Reuters thonë se kundërshtitë e Francës dhe Holandës për nisjen e bisedimeve, për shkak të reformave demokratike dhe korrupsionit në dy vendet e Ballkanit Perëndimor janë zbutur, çka i hap derën çeljes së negociatave. Këshilli i ministrave të Jashtëm mblidhet nesër përmes një video-konference, ku pritet të konfirmohet edhe vendimi pozitiv. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos