
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, deklaroi gjatë konferencës për shtyp me homologun Edi Rama, se rajoni i Ballkanit është i lodhur nga e shkuara dhe duhet të fokusohet tek e ardhmja europiane.
Abazoviç u shpreh se diskutoi me Ramën për Procesin e Berlinit dhe takimin informal që do të mbahet më herët mes liderëve të rajonit për të shkuar me një qëndrim të përbashkët në samitin e tetorit që do të mbahet në tetor.
“Brenda këtij turneu erdhi miku ynë Edi Rama. Patëm një takim të gjatë vetëm dhe më pas me delegacionin. Pozita e Malit të Zi është e qartë, ne jemi vetëm për bashkëpunim në rajon dhe duam që kjo të jetë një rrugë që të ndjekin dhe fqinjët tanë. Qëllimi është që rajoni të fokusohet tek e ardhmja. Jemi të lodhur nga e shkuara, sigurisht që ka ende çështje të hapura. Fokusi i rajonit duhet të jetë te rruga drejt BE-së. Ndamë mendime për samitin e Tiranës për Procesin e Berlinit. Marrëdhëniet tona janë të mira. Rama është i mirëpritur në Malin e Zi. Duhet t’i zgjidhim çështjet në mënyrë paqësore, të gjenerojmë stabilitet dhe drejtësi”, tha Abazoviç. (A2 Televizion)