"Absolut 4", Kosova zgjodhi

Nga A2 CNN
16 Shkurt 2021, 10:29 | Politikë
"Absolut 4", Kosova zgjodhi

KQZ, Elezi: Nuk do ketë vonesa në certifikimin e zgjedhjeve

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valmir Elezi, ishte i ftuar në “Absolut 4”, ku foli se në çfarë faze ndodhet procesi për certifikimin e rezultateve pas zgjedhjeve të së dielës, ku Lëvizja Vetëvendosje mori një fitore të madhe ndaj dy partive të mëdha, LDK dhe PDK.

Elezi tha se aktualisht janë duke u grumbulluar materialet zgjedhore dhe më pas do të nisë numërimi i votave me kusht dhe atyre me postë. Sipas tij, certifikimi i zgjedhjeve nuk do të ketë vonesa, duke kujtuar edhe njëherë shembullin e mirë që Kosova dha në këtë proces.

“Kosova dha një shembull të mirë për organizimin e zgjedhjeve. Kishim vetëm 39 ditë në dispozicion për të përmbushur detyrat tona për të organizuar zgjedhjet. Këto ishin zgjedhjet më të mira nga ato që ishin mbajtur më herët. Aktualisht, po bëjmë grumbullimin e materialit zgjedhor dhe shohim nëse ka pasur ndonjë parregullsi. Shumë shpejt nis numërimi i votave me postë dhe atyre me kusht, pasi të përfundojmë disa procedura.

Numërimi i këtyre votave nuk shkon shumë dhe ato i shtohen rezultatin të përgjithshëm. KQZ është këtu për të siguruar që vullneti i qytetarëve të transmetohet drejt, por do na duhen edhe disa ditë. Besoj se së shpejti do të kemi një njoftim në lidhje me materialet zgjedhore. Nuk do të ketë vonesa në shpalljen e rezultateve dhe certifikimeve”, tha Elezi.

Fitorja e Vetëvendosje, Avdija: Dialogu me Serbinë një patate e nxehtë në dorën e Kurtit

Gazetari Tomor Avdija ishte një ndër të ftuarit e emisionit “Absolut 4”, ku u diskutua rreth zgjedhjeve në Kosovë dhe të ardhmes së afërt që e pret qeverinë e re të Albin Kurtit. Sipas gazetarit të njohur nga Kosova, Albin Kurti ka tashmë si detyrë të mbajë premtimet e bëra ndaj qytetarëve për zhvillimin ekonomik dhe luftën kundër korrupsionit. (Lajmi i plotë)

Dialogu me Serbinë, Shkumbini: Kurtit i kërkohet bashkërendim sa më i mirë me SHBA-në

Politologu Shkumbin Beqiri, një ndër të ftuarit e emisionit “Absolut 4”, ku po diskutohet rreth zgjedhjeve në Kosovë deklaron se Albin Kurti nuk duhet të hapë fronte lufte me opozitën. “Kurti duhet të kërkojë ndihmën e opozitës, PDK-së dhe LDK-së. Duhet t'i ofrojë bashkëpunim, që qëndrimi i qeverisë të jetë një përfaqësim sa më i gjerë. Në këtë rrethanë, duhet ta provojë një lloj bashkëpunimi, dhe të mos hapë luftë në të gjitha frontet me PDK-në dhe LDK-në”, u shpreh Beqiri në A2. (Lajmi i plotë)

“Kosova ka një klasë politike më qytetare, populli atje di të reagojë ndaj së keqes”

Historiani Paskal Milo i vlerësoi si të shkëlqyera zgjedhjet që u mbajtën në Kosovë të dielën. Kjo sipas tij, falë një klase politike më të përgjegjshme dhe të një populli që di të reagojë dhe të ndëshkojë të keqen. Megjithatë, diplomati i njohur u shpreh se qeveria e re e Kurtit pritet të ketë sfida të mëdha përpara dhe uroi që ajo të tregojë maturinë e duhur në arenën ndërkombëtare.

“Ishin zgjedhje të shkëlqyera me standarde europiane që treguan se sa larg jemi ne këtu në Shqipëri në lidhje me organizimin, administrimin e zgjedhjeve dhe sjelljes qytetare. Ata kanë një klasë politike më të përgjegjshme dhe më qytetare, kanë dhe një popull që di të reagojë ndaj së keqes, që di të reagojë dhe të ndëshkojë. (Lajmi i plotë)

Qeveria e re në Kosovë, analisti Gashi: Besoj se do të formohet me partitë e pakicës jo serbe

Analisti Drilon Gashi e konsideroi një ndryshim të pritshëm votën e një dite më parë që i dha një fitore bindëse Lëvizjes Vetëvendosje për të drejtuar vendin. Ai u shpreh se Albin Kurtit do t’i duhen shumë pak vota për krijimin e qeverisë dhe shtoi se mendon se do t’i marrë ato prej partive të pakicave jo serbe. (Lajmi i plotë)

Milo lexon në “Absolut 4” mesazhin e Rexhep Qoses: Qëndrimi i vërtetë i humbësve do të shihet pas krijimit të qeverisë

Mesazhet e pranimit të humbjes të zgjedhjeve nga partitë e tjera ishte një temë tjetër e diskutimit në “Absolut 4” në A2. Historiani Paskal Milo lexoi në studio një mesazh të akademikut shqiptar Rexhep Qosja, i cili i shihte ato thjesht një mesazh për t’u dëgjuar nga faktori ndërkombëtar dhe ambasadat e huaja në Prishtinë. Sipas Rexhep Qoses, qëndrimi i vërtetë i humbësve do të shihet pas krijimit të qeverisë së re, ku uronte që të mos ndodhte e njëjta gjë si me qeverinë e parë të Albin Kurtit e cila u rrëzua brenda 52 ditëve. (Lajmi i plotë)

Dialogu me Serbinë, Bumçi: Kurti nuk duhet ta humbë këtë moment të artë, Biden ka lidhje personale dhe emocionale të fortë me Kosovën

Ish-ministri i jashtëm, Aldo Bumçi, deklaron se pavarësisht planeve të tij, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, duhet ta shfrytëzojë menjëherë këtë moment për dialogun në Serbi. Bumçi deklaroi në “Absolut 4” se kjo duhet bërë për dy arsye kyçe, e para sepse Biden ka një lidhje të fortë personale dhe emocionale me Kosovën dhe e dyta sepse Amerika dhe Europa janë në unison. “Unë do thoja që me të drejtë zoti Kurti edhe individët bëjnë një plan të jetës së tyre, por gjërat nuk vijnë sipas planit tonë dhe ne nuk mund ta ndryshojmë realitetin sepse kemi një plan. (Lajmi i plotë)

Marrëdhëniet Tiranë-Prishtinë, Milo: Ka pasur ndërhyrje dhe preferenca nga politikanët

Paskal Milo komentoi në “Absolut 4” dhe raportet mes Tiranës dhe Prishtinës dhe si pritet të jenë ato pas zgjedhjeve të 25 prillit që do të mbahen në Shqipëri. Sipas historianit, marrëdhëniet mes dy vendeve tona duhet të ndjekin një vijë dhe nuk duhet të ndryshojnë se kush forcë vjen në qeveri. Milo pranoi se në disa raste ka pasur ndërhyrje të palejueshme nga politikanët e të dyja krahëve dhe preferenca të ndryshme. (Lajmi i plotë) (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos