U komentua për takimin në Bathore, Spiropali kërkon ndjesë dhe akuzon opozitën: Duma e Kryemadhi po sfidojnë rregullat Covid

Nga A2 CNN
16 Shkurt 2021, 08:51 | Politikë
U komentua për takimin në Bathore, Spiropali kërkon ndjesë

Ministrja e Shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin dhe drejtuesja e fushatës për qarkun e Tiranës, Elisa Spiropali, ka kërkuar ndjesë në “Dita Jonë” në lidhje me një foto të publikuar në media ku shfaqet në një organizim me shumë njerëz pa respektuar rregullat e Covid-it. Sipas saj, ky takim nuk ishte organizuar prej saj, por nga deputeti Valteri.

“Kërkoj ndjesë për këtë foto, unë isha në Bathore më morën në telefon banorët, kishin kërkesa për legalizim. Po të shikoni faqen time jam duke ndjekur rreptësisht rregullat Covid. Kërkoj ndjesë! Ishte organizuar nga deputeti Valteri dhe atij i kishte dalë nga dora, edhe unë u thirra për këtë takim”.

Por ajo nuk ngurroi të shigjetojë opozitën në lidhje me respektimin e masave të koronavirusit. Duke folur me emra konkretë, Spiropali theksoi se Grida Duma dhe Monika Kryemadhi po sfidojnë qëllimisht rregullat Covid.

 “Ne nuk jemi si ata që i hedhin këto foto me krenari duke shfrytëzuar ata njerëz që po vuajnë pasojat. Në faqet e përfaqësuesve të opozitës në Kavajë e Rrogozhinë po publikohen dasma. Grida Duma po sfidon hapur rregullat. Mua më vjen turp nga ajo foto që ata po hedhin qëllimisht, foto pa maska dhe e habitshme pse sfidon kaq hapur një vend të sëmurë. Zonja Kryemadhi e ka sfidë personale mosvënien e maskës dhe kërcënon policin, atë që bën detyrën, ndërkohë që janë gjobitur dhe përfaqësues tanët”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos