
“Lojë bashkish para Kushtetueses”, Voltana Ademi: Unë jam kryetare e Shoqatës së Bashkive, jemi në një situatë të pazakontë
Pjerin Ndreu u zgjodh këtë të martë kryetar i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, por e ftuar në Absolut 4, Voltana Ademi, kryetare e bashkisë së Shkodrës, pretendon se ajo vijon të jetë në krye të kësaj shoqate.
“Unë jam kryetare e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë. Me një vendimmarrje të komitetit drejtues në korrik të vitit 2019, ne prezantuam në Kushtetuese padinë për zgjedhjet lokale. Pritet që më 23 të kemi një seancë plenare dhe për këtë është thirrur shoqata e bashkive.
Anëtarët e kësaj shoqate janë kryetarët e bashkive, të cilët unë i përfaqësoj në gjykatë. Atyre të gjithëve, në mënyrë arbitrare u është ndërprerë mandati. Askush nuk mund të bëjë interpretime të tjera për sa kohë çështja është në Kushtetuese. Gjykata jonë ka qenë shumë aktive”.
Ademi pranoi se situata është e pazakontë, për faktin se jemi në prag të shqyrtimit të padisë nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjet lokale 2019.
“Jemi në një situatë të pazakontë, pasi kemi paraqitur në kushtetuese një çështje të rëndësishme me interes publik. Nuk është rastësore, që pikërisht shqyrtimi në kushtetuese i kërkesë padisë të jetë pjesë e një prej 15 kushteve të vendosura nga BE”, tha Ademi.
Situata me Shoqatën e Bashkive, Krasniqi: Gjykata ka lajmëruar datën për nisjen e procedurës, veprimet e tjera nuk kanë vlerë
Analisti Afrim Krasniqi ka komentuar në “Absolut 4” situatën me Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë, ku u shkarkua nga pozicioni i Kryetares Voltana Ademi dhe u emërua Pjerin Ndreu.
Krasniqi deklaroi se që në momentin që gjykata ka lajmëruar një datë për nisjen e procedurës, të gjitha veprimet e tjera nuk kanë vlerë juridike.
“Ajo çfarë dua të komentoj është përpjekja e mazhorancës për të marrë edhe pushtete që nuk kanë sens në demokraci. Shoqata është një OJF, pavarsisht emrit të madh, dhe si e tillë ka rregulla krejt të tjera nga organizmat që funksionojnë kryetarët e bashkive administrate publike. Si e tillë përpjekja për ta marrë dhe për të bërë skena të tillë, për ta marrë është alarm i madh. Lojë negative, e panevojshme, kosto për Shqipërinë dhe një aventurë që nuk mund të kenë sukses.
Pas reagimit që ne bëmë në atë kohë në studio, Gjykata Kushtetuese të nesërmen reagoi dhe lajmëroi datën e procesit. Që në momentin që gjykata ka lajmëruar një datë për nisjen e procedurës, të gjitha veprimet e tjera nuk kanë vlerë juridike. Edhe nëse shoqata e bën fakt të kryer, së pari nga ana teknike është shumë e komplikuar sepse duhet që vendimi të tyre të kalojë në gjykatë për regjistrim. Së dyti procesi do vijojë në gjykatë nga palët e tjera të përfshira në debat dhe do jetë shumë e vështirë që muajt e ardhshëm të ketë një vendimmarrje të formës së prerë. Së treti në ligjin për funksionimin jep të drejtës Gjykatës Kushtetuese të mos pranojë as kërkesa për tërheqje nëse çështja paraqet interes publik.”, u shpreh Krasniqi.
Zgjedhjet e 23 qershorit, Lumezi: Anëtarët e Kushtetueses mos i “përkasin” atyre që i kanë propozuar
Zv.kryeredaktor i gazetës “Panorama”, Aristir Lumezi foli në emisionin Absolut 4 në A2 dhe për çështjen e zgjedhjeve lokale të 23 qershorit, e cila tashmë është në duart e Gjykatës Kushtetuese.
Lumezi u shpreh se tashmë Gjykata është përpara një prove zjarri dhe se anëtarët e saj duhet të lexojnë korrekt Kushtetutës dhe të mos reagojnë në mbështetje të atyre që i kanë propozuar në atë post.
“Përbërja e Gjykatës Kushtetuese është e ndarë në lidhje me propozimet nga kanë ardhur për anëtarët. Është detyrim ligjor, moral, shoqëror që anëtarët e Gjykatës të mos i përkasin më atyre që i kanë propozuar për të qenë anëtarë, por të jenë lexues korrekt dhe besnik të Kushtetutës dhe ligjit. Do të dëshiroja që vendimmarrja të jetë i shkëputur nga propozuesi i anëtarit”, tha Lumezi.
Media jashtë Kuvendit, Krasniqi: Moment kritik për hapësirën e informimit. Protesta e gazetarëve, lajm i mirë
Vendimi i Kuvendit për të mos lejuar median për të ndjekur fizikisht punimet e komisioneve parlamentare është komentuar gjerësisht në emisionin Absolut 4 gazetaren Merita Haklaj.
Për analistin Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike tashmë jemi në një nga momentet më kritike për hapësirën e informimit, duke qenë se të gjitha institucionet kryesore dhe partitë e tyre i kanë mbyllur dyert për gazetarët.
“Kemi të bëjmë me një vendim të marrë pa konsultim. Çdo akt duhet të konsultohet. Të gjitha përfaqësitë e kanë marrë vesh këtë akt nga mediat. Vetë gazetarët, në komunikim të vazhdueshëm që kemi pasur me Kuvendin, është thënë prej vitesh që ka një projekt të tillë dhe gjithnjë kemi ngritur shqetësimin se a janë pyetur gazetarët? Dhe gjithnjë na është thënë po. Ne komunikuam me të gjithë gazetarët që mbulojnë parlamentin dhe të gjithë na konfirmuan se nuk kanë qenë pjesë e ndonjë konsultimi dhe kjo përbën problematikën më të madhe të këtij akti.
Ky është një akt i mbyllur, në fundin e mandatit dhe nga deputetë që nuk do të jenë më pjesë e parlamentit të ri. Ky është një akt për të kontrolluar informacionin dhe për ta larguar gazetarin nga Kuvendi. Tani qeveria është mbyllur, nuk ka më konferencë shtypi, ka vetëm ERTV. Partitë i kanë mbyllur. Nuk lejon asnjë parti që të filmojë aktivitetet e veta. Institucionet e tjera i kanë mbyllur dhe nuk kanë më filmime. Kjo është një nga momentet më kritike për hapësirën e informimit dhe të drejtën e gazetarit për të ushtruar profesionin”, tha Krasniqi.
Sa i përket protestës së ditës së nesërme të njoftuar nga gazetarët, Krasniqi u shpreh se është një lajm i mirë në një situatë kur ka rënie të moralit, ndërsa theksoi se kryetari i parlamentit duhet të reagojë.
“Protesta nesër është lajm i mirë. Ka një rënie morale, një humbje shpresë, por gjërat mund të ndryshojnë dhe gazetarët po tregojnë se nuk kanë ndërmend të dorëzohen. Mendoj se do të ketë reagime edhe nga institucionet ndërkombëtare. Parlamenti ka bërë një investim kundër vetes, pasi ka kthyer të gjitha mediat kundër dhe kjo për të ruajtur imazhin e katër kryetarëve, të cilët ishin ankuar se gazetarët i bezdisnin. Ky nuk është rasti për të treguar se kush është më i forti. Unë besoj se drejtuesi i parlamentit duhet të rrëzojë atë akt”, përfundoi Krasniqi. (A2 Televizion)