
Nesër Kuvendi zhvillon seancën e jashtëzakonshme me një çështje në rendin e ditës, shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Seanca pritet të zgjasë rreth 3 orë dhe qëndrimi i socialistëve për ta çuar nismën deri në fund duket i pandryshuar.
Parlamentarët të cilët edhe për pak javë do të mbajnë veshur kostumin e deputetit do të ngrenë kartonët për të caktuar fatin e Ilir Metës. Kuvendi ka në agjendë seancë speciale ku për tre orë do të zhvillohet debate ku në finale ka një propozim të vetëm, shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.
Historia e Partisë Socialiste të Rilindur nën drejtimin e Edi Ramës ka pasur periudhën e dashurisë me Ilir Metën, por që përfundoi shumë shpejt dhe prej tre vitesh tashmë i janë vënë për ta shkarkuar.
Tentativa e parë ishte ajo e vitit 2019, ku Ilir Meta firmosi dekretin që shfuqizonte datën e zgjedhjeve vendore, akt i cili nuk u njoh as nga parlamenti e as nga ndërkombëtarët dhe socialistët morën drejtimin e 60 bashkive.
Zotimi i pushtetit vendos nuk i qetësoi gjakrat e socialistëve të cilët nisën menjëherë shkarkimin e Metës. Por opinionet e Komisionit të Venecias duket se detyruan maxhorancën që nismën mos ta çonte deri në fund.
Ardhja e fushatës elektorale për parlamentaret e 25 prillit ngriti tonet presidenciale në publik duke shkaktuar disa përplasje të një pas njëshme, jo vetëm me kundërshtarët politikë, por edhe me ambasadoren amerikane.
Ashtu si në vitin 2019, pas ngritjes së kupës për fitoren elektorale, socialistët nisën tentativën e dytë të shkarkimit të Ilir Metës e vënë sërish nën akuzë për shkelje të rëndë të Kushtetutës.
Ndryshe nga hera e parë kur iniciativa u mbështet mbi një akt të firmosur nga Meta, këtë herë kjo iniciativë mbështetet mbi deklaratat publike të Ilir Metës dhe tashmë 122 deputetë duhet të vendosin nëse presidenti do të vijojë të jetë në krye të shtetit apo karriera e tij presidenciale duhet të përfundojë. (A2 Televizion)