Inter fiton me vështirësi ndaj Sassuolos, pikët japin shpresë, por jo loja

Nga A2 CNN
21 Shtator 2025, 22:48 | Futboll

Inter fiton me vështirësi ndaj Sassuolos, pikët japin

Interi i Cristian Chivut arriti një fitore të ngushtë 2-1 kundër Sassuolos në “San Siro”, duke shmangur humbjen e tretë radhazi në Serie A, diçka që nuk kishte ndodhur që nga prilli 2023.

Skuadra zikaltër e nisi mirë takimin dhe gjeti avantazhin në minutën e 14-të. Pas një aksioni të bukur, Nicolò Barella shërbeu për Petar Sučić, i cili asistoi perfekt për Federico Dimarco. Ky i fundit nuk fali përballë Arijanet Murić, duke realizuar me një goditje precize.

Interi vazhdoi të sulmonte me Çalhanoglu dhe Thuram që iu afruan golit, ndërsa te Sassuolo rreziku vinte nga kundërsulmet e Laurienté dhe Berardit. Portieri Josep Martínez u tregua vendimtar duke ndalur disa tentativa të rrezikshme, përfshirë edhe një goditje me kokë të Andrea Pinamontit.

Në minutën e 81-të, Interi mendoi se e kishte mbyllur ndeshjen me golin e Carlos Augusto, pas një devijimi fatlum që mposhti Muriçin. Por Sassuolo reagoi shpejt me Walid Cheddira, i cili ngushtoi shifrat në 2-1. Në fund, Frattesi e çoi topin në rrjetë për zikaltërit, por goli u anulua për pozicion jashtë loje, shkruan A2 CNN.

Megjithatë, Interi mori tri pikë të arta, edhe pse loja nuk bind dhe dilemat për formën e skuadrës mbeten. Nga ana tjetër, Sassuolo, pavarësisht humbjes, dha sinjale inkurajuese, edhe pse kjo ishte disfata e 12-të në 15 ndeshjet e fundit jashtë fushe në Serie A. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos