
Demokratët e njësive 6 dhe 16 në Tiranë ishin ndalesa e radhës e Lulzim Bashës për t’i kërkuar sërish votën për drejtimin e PD.
Para tyre, Basha zbuloi dy qëndrime, të cilat sipas tij do të shpëtojnë Shqipërinë. E para, 25 prilli është masakër zgjedhore, nuk mund dhe nuk do të njihet e nuk do të pranohet kurrsesi si një rezultat legjitim dhe si një shprehje e vullnetit të shqiptarëve. E dyta, autori i kësaj masakre, nuk mund t’i shtrijmë dorën, por mund t’i ofrojmë të vetmin gjë që meriton dhe që i jep çdokush që ka një fije qytetërimi dhe përgjegjësie para shoqërisë dhe para kombit, betejë deri në fund.
5 ditë para zgjedhjeve për kreun e ri të PD, kandidati Fatbardh Kadilli ka dhënë një mesazh për anëtarët e thjeshtë të PD-së.
“Garantimin e karrierës politike! Çdo anëtar mund të krijojë seksionin e vet, prej 5 vetësh apo më shumë, duke u bërë kryetari dhe duke marrë përgjegjësi. Le të bëhemi ne të parët që e zhbëjmë monopolin centralist të kryetarit, të themelojmë një parti pluraliste, gjithëpërfshirëse, të fortë në territor, ku pushtetin e zotëron anëtari i thjeshtë, pa asnjë kufizim në kontribut dhe ambicie politike”.
Kandidatja Edith Harxhi, para demokratëve të Durrësit, tregoi se cilat shtyllat ideologjike mbi të cilat ajo pretendon të udhëheqë partinë demokratike.
“Unë mendoj që ringritja e PD duhet të jetë ringritje e thellë e fortë, mbi baza të së djathtës. Duke vendosur shtyllat kryesore të së djathtës lirinë, individin, pronën, tregu i lirë, sipërmarrje e lirë, barazi para ligjit, çështjen kombëtare”.
Kandidati Agron Shehaj zhvilloi takime me demokratët e Devollit, ku nënvizoi se kjo garë është e pabarabartë. Teksa materialet zgjedhore kanë mbërritur në selinë qendrore të PD për t’u shpërndarë në qendrat e votimeve ku demokratët do të hedhin votën për kreun e ri. Ky proces do të finalizohet më 13 qershor, ku në orën 19:00 do të mbyllen procesi i votimit e pas 30 minutash nis numërimi në secilën qendër. (A2 Televizion)