“Absolut 4”: Politika një muaj pas zgjedhjeve

Nga A2 CNN
24 Maj 2021, 22:29 | Politikë
“Absolut 4”: Politika një muaj pas zgjedhjeve

Dervishi: Gara në Partinë Demokratike është e pabarabartë dhe më shumë virtuale

Analisti Lutfi Dervishi deklaroi në studion e “Absolut 4” në A2 se gara në Partinë Demokratike është e pabarabartë dhe është më shumë virtuale. Sipas Dervishit nuk ka ide revolucionare që mund të sjellin ndryshim të madh dhe kjo avantazhin Bashën.  

“Gara sigurisht që është e pabarabartë, nuk ka kohë. Praktisht gara është më shumë virtuale. Këtu Shehaj ka avantazh për shkak të angazhimit dhe investimit që ka bërë në këtë fushë. Ajo çfarë nuk i duhet PD është që në 13 qershor të ketë kontestim zgjedhjesh nga vetë brenda PD. Kjo është gjëja më e pakëndshme që mund të ndodhë dhe do të rikthente historitë e vjetra.

Është tjetër gjë të themi rregullat e garës, koha e pakët, mungesa e debatit. PD nuk po arrin të përtypë vetveten dhe ta bëjë një garë reale.  Nuk do të kishte asgjë të keqe, debati bëhët për ide jo sa njërës ke pas vetes, koha jepet në funksion të ideve. Nuk shoh që ka ide revolucionare që bëjnë një dallim shumë të madh. Për këtë them se është më i avantazhuar Basha pavarësisht momentit të ulët të kuotave politike që ka që kur ka filluar angazhimin politik në 2004.", u shpreh ai.

“Basha më i avantazhuar”, Çela: Kandidatura e Agron Shehajt i ka lëvizur gjërat në PD

Pedagogu i komunikimit Erlis Çela ishte i ftuar në Absolut 4 në A2, ku bëri një analizë rreth garës që sapo ka nisur brenda PD për kreun e ri të saj, ku kandidatë janë vendosur përballë njëri-tjetrit në zgjedhjet që do të mbahen më 13 qershor.

Erlis Çela e konsideroi Lulzim Bashën si më të avantazhuar në këto zgjedhje brenda PD dhe theksoi se kandidimi i Agron Shehajt i ka lëvizur gjërat brenda partisë më të madhe opozitare, duke pasur parasysh dhe arritjet e tij me vota personale në zgjedhjet e 25 prillit.

“Gara i bën mirë Partisë Demokratike. Është për herë të parë që kemi 4 kandidatë. Jo se numri bën ndonjë ndryshim. PD i duhet një model, një shembull. Nuk i dimë platformat e kandidatëve, asnjë nuk ka dalë me platforma të qarta. Koha është e shkurtër dhe besoj se nuk do kemi ndonjë përplasje të madhe idesh. Mendoj që zoti Basha është më i avantazhuar pasi hyn në garë si kreu i Partisë Demokratike. Për mua hyrja në garë e zotit Shehaj ndoshta i ka lëvizur gjërat dhe brenda PD. Shehaj hyn në garë me një arritje në aspektin personal duke pasur parasysh numrin e madh të votave që ka marrë në Tiranë. Ai ka mbështetur Bashën dhe ka dalë hapur që nuk mendon se Basha do ta çojë PD në fitore”, tha Çela.

“Më 13 qershor nuk do ketë zgjedhje, por votime”, Krasniqi: Gara në PD mes individëve rezervë

Analisti Afrim Krasniqi u shpreh në Absolut 4 se nuk pret që të ketë garë apo zgjedhje brenda PD më 13 qershor për zgjedhjen e kreut të ri të partisë.

Sipas tij, është një fatkeqësi që një parti që kërkon të sjellë ndryshimin në Shqipëri nuk ka personalitete publike që japin ide dhe kanë identitet. Ai e sheh  garën si një përballje mes individëve rezervë.

“Opozita ndodhet në një nga krizat më të thella e krahasueshme me vitin 1997. Dikush duhet të ulërasë që “ju duhet të ndryshoni”. Ajo që unë po shoh është një garë mes individëve rezervë. Fatkeqësi kur në një parti të tillë që do të duhet të sjellë ndryshim në Shqipëri praktikisht nuk ke personalitete publike që kanë ide dhe një identitet. Nuk ke praktikisht një shpresë dhe një frymë që mund të sjellë nesër dhe mund të garantojë tek qytetarët mesazhin që ky ekip, ky staf do arrijë që të qeverisë ndryshe.

Kjo ende shihet si një garë formale, le të bëjmë një garë, të mbyllim problemet e brendshme dhe pastaj të marrim pushimet verore, për të parë çfarë do të ndodhë në shtator. Dhe ky për mua është gabimi më i madh strategjik që po bën PD. Besoj se në 13 qershor nuk do të ketë garë, nuk do të ketë zgjedhje, do të ketë votime. Hera e fundit që PD ka bërë zgjedhje të rregullta ka qenë 1991”, tha Krasniqi.

“Mandati i tretë, meritë personale e Ramës”, Krasniqi: I vetmi lider që nuk bën zgjedhje në parti

Në emisionin Absolut 4 në A2 është komentuar dhe vendimi që Kongresi i jashtëzakonshëm i PS që pritet të mbahet më 12 qershor nuk do të jetë zgjedhor, por thjesht do të analizohen rezultatet e zgjedhjeve të 25 prillit dhe do të kremtohet 30 vjetori i partisë.

Për analistin Afrim Krasniqi ky është një problem shumë i madh pasi Edi Rama që prej vitit 2009 refuzon të bëjë zgjedhje në parti, qoftë dhe në mënyrë formale. Sipas tij, kjo gjë nuk ndodh në asnjë vend demokratik.

“Nga ana teknike PS e ka zgjedhur Asamblenë vjet në shkurt. Ajo është në gjysmën e mandatit dhe e ka legjitime. Maksimumi mund të afrojë individë të tjerë. Ky ka qenë dhe kuptimi i deklaratave të kryeministrit Edi Rama. Problemi është tjetër. Zoti Rama prej vitit 2009 refuzon të bëjë zgjedhje, qoftë edhe formale për veten e tij. Dhe është e habitshme që një njeri që e kontrollon 100% Shqipërinë nuk bën zgjedhje formale për veten e tij. Është një koncept krejt i kundërt me atë që ai thotë në publik.

Ka fituar dhe Merkeli zgjedhjet, por të gjithë kanë bërë zgjedhje në parti. Po t’i thuash njeriut nuk do bësh zgjedhje deri sa të fitosh, ai do të rrijë gjithë jetën. Është i vetmi lider politik, në një vend demokratik që nuk bën zgjedhje as formale në parti. Ky është problem i një demokracie. Zoti Rama ka marrë mandatin e tretë. Është merita e tij personale dhe e strategjisë që ka zgjedhur. Ai përshtati partinë siç dëshironte dhe në fakt nuk i duhet më partia. Madje e ka bezdi për të diskutuar se përse një çun që nuk e njihte njeri mori më shumë vota se një ish-kryeministër”, tha Krasniqi.

Heshtja e Bashës, Dervishi: E gabuar, ka shumë për të folur. Çela: Të tregojë planin për të ardhmen e PD

PD do të mbajë më 13 qershor zgjedhjet për kryetarin e partisë. Për këtë çështje dhe të tjera u diskutua mbrëmjen e së hënës në “Absolut 4”.

Analisti Lutfi Dervishi u pyet se pse në këtë situatë, kur jemi në prag të zgjedhjeve, Lulzim Basha nuk është aktiv? Ai u shpreh se është një zgjedhje e Bashës, por sipas tij e gabuar. Sipas Dervishit, Basha duhet t’u japë përgjigje shumë pyetjeve.

“Ka një thënie: Nëse nuk ke ndonjë gjë të mirë për të thënë, më mirë hesht. Është një zgjedhje individuale, por edhe pasojat janë në zgjedhje. Janë dy modele, të qenit aktiv me pjesëmarrje në televizione ose të heshtë. Basha ka zgjedhur të dytën dhe ndoshta nga shtatori do të ketë komunikim publik. A është zgjedhja më e mirë? Për mendimin tim jo. Ka dhjetëra pyetje në këtë moment që duan përgjigje. Është momenti “o sot o kurrë” për përgjigje. Për të folur ka shumë dhe ashtu si kundër media, e cila nuk merret me fituesin, por merret me atë ku është lajmi, në këtë rast me humbësin. E njëjta situatë ishte edhe në vitin 2009. Media e do debatin dhe këtë hapësirë e kanë zënë kandidatët, për shkak të një fushe të lënë bosh. Në këtë moment nuk flitet me heshtje, por kërkohen argumente dhe fakte”, u shpreh Dervishi.

Ndërkohë, thuajse në të njëjtën linjë ishte edhe Erlis Çela, pedagog i komunikimit, i cili shtoi se në këtë moment Basha duhet të shpalosë planin për të ardhmen e PD. “Basha duhet të thotë se çfarë mendon për të ardhmen e PD. Heshtja është pak problematike. PD duhet t’i kishte lënë kohë për të çuar deri në fund një proces të nisur. Kjo ka sjellë edhe shpërqendrimin e vëmendjes”.

Heshtja e Ramës për vendimin e DASH për Berishën, Çela : I ngjan atij nxënësit që ka kopjuar në provim

“Heshtja e Ramës ndaj vendimit të DASH tregon një sens vetëpërmbajtje. Kjo është humbja më e madhe e opozitës dhe fitorja më e madhe e Ramës. Po të shikosh ata poshtë tij bëjnë deklarata etjerë. Imagjino sikur të kishte ndodhur në krahun tjetër, do të ishte bërë nami. Tregon që ka kuptuar nga politika, sot një yll në ngritje dhe nesër mund të jësh ti. Fakti që ndodhi e pabesueshmja deri dje do të thotë që gjithçka mund të ndodhë.”

Kështu e komentoi në Absolut 4 Afrim Krasniqi, heshtjen e Ramës për vendimin e DASH-it për ish-kryeministrin Sali Berisha.

“Ai po lëviz, i dimë historitë banale të inaugurime tetë herë të së njëjtës ndërtesë. Ka qenë një kopësht i Vlorës. Por fakti që ai shkon në zonat e tërmetit dhe fakti që ai vazhdon që del nga zyra dhe merret me punë, minimalisht tregon se nuk po bën pushime verore se ka fituar. Por po punon më vonë sepse le gjurmë. Njerëzit thonë që na vjedh pak por ai po punon. E ka idenë që do ngrihet në mëngjes dhe do merret me një punë. Por është e habitshme disa që nuk bëjnë as punën dhe nuk duken askund e s’dimë çbëjnë. Kjo do të ishte një lloj diference që ka metoda e tij e punës me rivalët e tij politikë.”, shtoi Krasniqi.

Ndërkaq pedagogu Erlis Çela shprehet se heshtja e Ramës nuk është vetëpërmbajtje por thjesht po kënaqet me situatën sepse kundërshtari është në pozitë të vështirë.

“Kjo heshtja i ngjan atij nxënësit që ka kopjuar në provim, dhe ndërkohë që zysha merret me atë që ka dalë dobët, ai ul kokën dhe thotë ishalla smë vjen radha mua. Nuk është vetëpërmbajtje. Ai thjesht po kënaqet me situatën sepse kundërshtari është në pozitë të vështirë.”, deklaroi pedagogu Erlis Çela. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos