
Pedagogu i komunikimit Erlis Çela ishte i ftuar në Absolut 4 në A2, ku bëri një analizë rreth garës që sapo ka nisur brenda PD për kreun e ri të saj, ku kandidatë janë vendosur përballë njëri-tjetrit në zgjedhjet që do të mbahen më 13 qershor.
Erlis Çela e konsideroi Lulzim Bashën si më të avantazhuar në këto zgjedhje brenda PD dhe theksoi se kandidimi i Agron Shehajt i ka lëvizur gjërat brenda partisë më të madhe opozitare, duke pasur parasysh dhe arritjet e tij me vota personale në zgjedhjet e 25 prillit.
“Gara i bën mirë Partisë Demokratike. Është për herë të parë që kemi 4 kandidatë. Jo se numri bën ndonjë ndryshim. PD i duhet një model, një shembull. Nuk i dimë platformat e kandidatëve, asnjë nuk ka dalë me platforma të qarta. Koha është e shkurtër dhe besoj se nuk do kemi ndonjë përplasje të madhe idesh. Mendoj që zoti Basha është më i avantazhuar pasi hyn në garë si kreu i Partisë Demokratike. Për mua hyrja në garë e zotit Shehaj ndoshta i ka lëvizur gjërat dhe brenda PD. Shehaj hyn në garë me një arritje në aspektin personal duke pasur parasysh numrin e madh të votave që ka marrë në Tiranë. Ai ka mbështetur Bashën dhe ka dalë hapur që nuk mendon se Basha do ta çojë PD në fitore”, tha Çela. (A2 Televizion)