Heshtja e Bashës, Dervishi: E gabuar, ka shumë për të folur. Çela: Të tregojë planin për të ardhmen e PD

Nga A2 CNN
24 Maj 2021, 22:14 | Politikë
Heshtja e Bashës, Dervishi: E gabuar, ka shumë për të folur.

PD do të mbajë më 13 qershor zgjedhjet për kryetarin e partisë. Për këtë çështje dhe të tjera u diskutua mbrëmjen e së hënës në “Absolut 4”.

Analisti Lutfi Dervishi u pyet se pse në këtë situatë, kur jemi në prag të zgjedhjeve, Lulzim Basha nuk është aktiv? Ai u shpreh se është një zgjedhje e Bashës, por sipas tij e gabuar. Sipas Dervishit, Basha duhet t’u japë përgjigje shumë pyetjeve.

“Ka një thënie: Nëse nuk ke ndonjë gjë të mirë për të thënë, më mirë hesht. Është një zgjedhje individuale, por edhe pasojat janë në zgjedhje. Janë dy modele, të qenit aktiv me pjesëmarrje në televizione ose të heshtë. Basha ka zgjedhur të dytën dhe ndoshta nga shtatori do të ketë komunikim publik. A është zgjedhja më e mirë? Për mendimin tim jo. Ka dhjetëra pyetje në këtë moment që duan përgjigje. Është momenti “o sot o kurrë” për përgjigje. Për të folur ka shumë dhe ashtu si kundër media, e cila nuk merret me fituesin, por merret me atë ku është lajmi, në këtë rast me humbësin. E njëjta situatë ishte edhe në vitin 2009. Media e do debatin dhe këtë hapësirë e kanë zënë kandidatët, për shkak të një fushe të lënë bosh. Në këtë moment nuk flitet me heshtje, por kërkohen argumente dhe fakte”, u shpreh Dervishi.

Ndërkohë, thuajse në të njëjtën linjë ishte edhe Erlis Çela, pedagog i komunikimit, i cili shtoi se në këtë moment Basha duhet të shpalosë planin për të ardhmen e PD. “Basha duhet të thotë se çfarë mendon për të ardhmen e PD. Heshtja është pak problematike. PD duhet t’i kishte lënë kohë për të çuar deri në fund një proces të nisur. Kjo ka sjellë edhe shpërqendrimin e vëmendjes”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos