
Gazetari Lutfi Dervishi, në një lidhje direkte me studion e “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, komentoi arrestimin e ish-ministrit Lefter Koka, duke theksuar se ishte “një mesazh për të gjithë njerëzit që janë në pushtet sot, që abuzimi me detyrën dhe shpërdorimi me paratë publike një ditë do të gjykohet”.
“Është një mesazh për të gjithë njerëzit që janë në pushtet sot, që abuzimi me detyrën dhe shpërdorimi me paratë publike një ditë do të gjykohet. Ndoshta, gjëja më e mirë do të ishte që SPAK-u të “ngacmonte” njerëzit që janë në detyrë, jo ata që e kanë lënë sepse ajo që kemi vënë re është që kjo histori ka që nga viti 2015. Gjithsesi, dërgohet një mesazh i rëndësishëm që të gjithë mund të përplasen me ligjin”, u shpreh Dervishi.
Lutfi Dervishi shtoi se kjo ishte një çështje e diskutuar shumë herë dhe pati një kritikë edhe për SPAK-un: “Nuk më duket që SPAK-u ka bërë ndonjë hetim të madh sepse kjo çështje është diskutuar në dhjetëra emisione televizive dhe nga partitë politike nëpër konferenca shtypi, madje ka pasur edhe interpelancë në Parlament e komision hetimor parlamentar. Nuk besoj se është problem i izoluar, më duket sikur ka një mekanizëm dhe hetimi këtë duhet të kishte nxjerrë sot”.
Sipas Dervishit, “në këto raste nuk është vetëm një njeri, por është një mekanizëm që ka përgjegjës edhe më të mëdhenj”. (A2 Televizion)