
Nga foltorja e Parlamentit këtë të enjte, kryeministri Edi Rama komentoi edhe rastin e rëndë të abuzimit të një të miture nga roja e shkollës në Babrru.
Rama u shpreh se e mitura është ridhunuar nga politika, por edhe media. “U kalua në abuzim që nuk është në nivelin e dhunimit trupor, por është në nivelin e dhunimit psikologjik të një populli të tërë. Është fatkeqësi që të shohësh njerëz që kanë një mikrofon dhe kanë mundësi të thonë fjalën e tyre, pavarësisht se çfarë janë dhe e marrin viktimën dhe e bëjnë mish për topat e tyre. Është diçka që nuk ndodh në asnjë vend të botës. Atë viktimë, që gjënë më të rëndësishme dhe kërkesën themelore që ka, është më ruani anonimitetin, këta e marrin dhe e përplasin mur më mur, ekran më ekran. Ky është kanibalizëm. Është fatkeqësi të shikosh se si një viktimë e dhunës, një e mitur, përdoret në këtë farë feje, me apo pa vetëdije.
Më tej, kryeministri mbrojti edhe ministren e Arsimit, Besa Shahini, duke sjellë në vëmendje skandalin e abuzimeve edhe brenda kishës katolike.
“Nuk besoj një sekondë të vetme që ata që dhunojnë publikisht ministren e Arsimit, e kanë hallin vërtetë tek ajo viktimë. Nuk mund të mbrosh një viktimë të abuzuar, duke abuzuar dikë tjetër. Kjo nuk funksionon. Kisha katolike ka hyrë në një proces të tmerrshëm me përballjen e pedofilisë. Kardinalë, peshkopë, të të gjitha niveleve, të përfshirë në skandale. Kjo e ka goditur në mënyrë shumë të egër besueshmërinë e kishës katolike, nuk ka qenë kurrë as brenda kishës dhe as shoqëritë që janë përballur me fenomenin e priftërinjve, nuk është një arsye për të rrënuar kishën, për të rrënuar vetë besimin. Kurrë nuk ka ndodhur. Këtu viktima është bërë paçavure dhe jam i bindur që askush nuk ka shkuar të qajë hesapet me të pa lënë që të merret vesh, askush nga këta që flasim.
Këto krime janë shumë të vështira për t’u kapur, por nëse kthehen nga gojtarët e politikës dhe të medias, do të kemi zero denoncime. Kjo është t'i thuash atyre që janë objekt ngacmimesh: mos guxo të denoncosh se do të bëhesh objekt i përbaltjes për arsye që nuk e kanë fare me ty. Kur ndodhin këto nuk është rasti për t’u kujtuar për viktimat, por çfarë bëhet në këtë foltore, çfarë bëhet nëpër ekrane.
Duke dënuar çdo dhunues pa rezerva, mësues apo çfarëdo qoftë, unë po ju them, kush e përdor mikrofonin në këtë vend për të thënë fjalët më të ulëta, për të përdorur shpifjen, shantazhin, është më keq se përdhunuesi atje. Ai është një mostër që nuk e ka pasur në jetë shansin që të ketë rrugën, karrierën, mundësitë financiare dhe mundësitë njerëzore, për të qenë aty ku jemi ne, ku janë ata të tjetër që shajnë përditë, duke jetuar me gjoba, me shantazhe, me lojëra pas krahëve të profesionit të tyre, për të na gjykuar ne.
Ai mësuesi është një qenie që nuk e meriton emrin njeri, ndërsa të gjithë ata me kostume e kravata bëjnë këtë gjyqin e madh moral dhe ndërkohë u kanë mësuar vajzave dhe djemve se fjala e ndyrë është opozitarizëm, rebelizëm, janë shumë më keq dhe shumë më të neveritshëm sesa ai atje. Të refuzosh dhunën dhe të bësh parada për dhunën, në këtë rast është në rregull, elementare, por nëse vërtet nuk do që ajo të përsëritet, e para mos përsërit ti atë që shikon nga mësuesit e moralit të mirësjelljes në politikë dhe në media”, u shpreh Rama. (A2 Televizion)