
Ajo që pret publiku nga komisioni hetimor parlamentar për inceneratorët është hetimi i mekanizmit dhe jo problemi. Kështu u shpreh në studion e Debatit me Alba Alishanin analisti Lufi Dervishi, sipas të cilit, duhet të vendosen kushte dhe barriera që kjo histori të mos përsëritet më.
“Ne nuk presim të hetojë problemin se problemi ose është hetuar nga media ose SPAK, por të hetojë mekanizmin, çfarë është përzgjedhja e njerëzve apo kompanive që merren me këtë aferë. Janë të pashmangshme edhe batutat, por nuk është show. Nga ky komision interesi publik pret shumë. Duhen vendosur kushte dhe barriera. Shqipëria është vendi i parë në Europë që ka 11% të kontratave PPP të PB, 5 fish se çdo vend tjetër. Investitorët strategjikë që vijnë nga Holanda janë në kërkim ndërkombëtar, ka shumë probleme, ne presim që kjo histori të mos përsëritet dhe të ketë një dobi publike. Çështja e shifrave 430 mln euro, llogaritja e kostos nuk ka asnjë rëndësi. Rëndësi ka si kemi mbërritur në këtë situatë. Këto para nuk janë futur të gjitha nëpër xhepa”.
Për Dervishin vlera e këtij komisioni është të skanojë situatën se çfarë nuk ka funksionuar, ndërsa pjesa tjetër e abuzimit i takon SPAK. Sipas tij deputetët sillen si prokurorë dhe avokatë mbrojtës dhe këtu ka keqkuptim.
“Për të gjetur abuzimin nuk është detyra e komisionit parlamentar dhe këtu ka një keqkuptim nga deputetët. Deputetet sillen si prokurorë dhe si avokatë mbrojtës. Është keqkuptim i madh se çfarë presim ne si publik, cila është dobia. Roli mbikëqyrës është si është zbatuar ligji. Raporti nuk është për të kapur shkallën e abuzimit, çështja është kush është procesi dhe ligji që na ka futur në këtë situatë. A do të ketë ndërhyrje në ligj për garanci të plota që nuk do lejojmë kompani guacka dhe tjetërsim të koncesionit? Këtu është vlera e komisionit të skanojë situatën se çfarë nuk ka funksionuar, skanim i mekanizmit dhe pjesa tjetër është e SPAK se është e qartë që është aferë e përbindshme korruptive”. (A2 Televizion)