Inceneratorët, Bogdani: Rama mbrojti koncesionet, vizioni nuk ishte i tij, por i pronarëve të impianteve

Nga A2 CNN
23 Shkurt 2022, 21:08 | Politikë
Inceneratorët, Bogdani: Rama mbrojti koncesionet, vizioni nuk ishte i tij,

Seanca përmbyllëse e Komisionit Hetimor për inceneratorët sot u shndërrua në një maratonë ku prej mesditës kryeministri Edi Rama po i përgjigjet pyetjeve, mes ironive, replikave dhe kundëreplikave.  

Një përmbledhje e jep gazetarja e BIRN Aleksandra Bogdani, e ftuar në emisionin “Debat”.

“Dëshmia e kryeministrit nuk pati surpriza të mëdha, pati dy shtylla ku u bazua. E para ishte vizioni i tij qeverisës çështjen e menaxhimit të mbetjeve, ku ai mbrojti kontratat koncesionare. Në fakt këtu vizioni nuk ka qenë i Ramës por i tre pronarëve të këtyre kompanive, që kanë bërë oferta të pa kërkuara për të realizuar këto impiante.

Çështja e dytë ishin kostot, ku Rama refuzoi shifrën e 430 milionë eurove që prej javësh paraqet opozita.  “Politikisht edhe mund të jetë abuzuar për shifrat që janë harxhuar ose vjedhur në këtë histori, por çështja është e qartë dhe janë shpenzuar rreth 100 milionë të disbursuar nga thesari i shtetit deri më tani, për impiante që ende nuk janë funksionale, dhe këtu zoti Rama e anashkaloi këtë çështje duke thëne se impiantet janë aty, situata është shumë më e mirë”.

Po cilat janë kostot reale? “Është thënë gjithmonë që kostot e operimit shkojnë në 430 milionë euro, për të gjithë periudhën koncesionare. Paratë e disbursuara deri më tani janë rreth 90 milionë euro për të tre impiantet, në Fier, Elbasan dhe Tiranë, për këtë të fundit rreth 35-40 milionë euro sa është abuzimi, këtu duhet të hetohet, se ajo që është e qartë është se në rastin e Elbasanit ku ka një hetim, rreth 3.7 milionë euro nga buxheti i shtetit kanë shkuar në rrethin familjar të ish-ministrit Lefter Koka. Sipas hetimeve të SPAK, janë parë abuzime me faturat, sa janë deklaruar dhe sa janë paguar nga buxheti i shtetit, ka pothuajse një buxhet të dyfishtë”, deklaron gazetarja.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos