Afganët nisin qëndrimin e përkohshëm në Qytetin Studenti, lëvizin të shoqëruar

Nga A2 CNN
28 Gusht 2021, 14:36 | Aktualitet
Afganët nisin qëndrimin e përkohshëm në Qytetin

Qëndrimi i tyre është i përkohshëm, pasi ata presin të transferohen drejt shteteve të tjera, siç rrëfen edhe një koleg nga Kabuli.

‘Jam gazetar dhe këtu është shumë mirë. Kjo është dita e parë në Shqipëri, për mua dhe kolegët e mi. Plani ynë është të qëndrojmë këtu për pak ditë dhe më pas të shkojmë në një shtet tjetër.’, thotë një prej tyre.

Policia e Tiranës dhe strukturat e rendit në Policinë e Shtetit, bashkë me policinë kriminale, sigurojnë perimetrin e 2 godinave ku janë akomoduar shtetasit afganë, ndërsa do të shtohen patrullimet dhe survejimet e zonës, si nga efektivë me uniformë, ashtu edhe nga civilët.

Momentalisht, gjendja e tyre psikologjike duket e rënduar, për shkak të luftës në Afganistan, ku talebanët tashmë kanë kontrollin. Mjafton vetëm fjala taleban që ata të heshtin, pasi të flasësh për ta është e rrezikshme.

‘Situata në Kabul është shumë e keqe, por unë shpresoj që të bëhet më mirë. Mund të qëndrojmë këtu për 10 orë dhe më pas do të transferohemi. Jemi studentë.’, thotë një prej tyre.

Stafi i shërbimeve qeveritare i shoqëron shtetasit afganë drejt mensës dhe qendrës shëndetësore, shoqërim që vijon edhe përgjatë kthimit. Prej ditësh, në Qytetin Studenti janë bërë gati disa godina, ku do të strehohen përkohësisht shtetasit afganë, sipas statusit të tyre. Familjet kanë një dhomë të veçantë, ndërsa miq shokë apo të njohur janë akomoduar në dhoma të përbashkëta. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/08/28/mberrijne-ne-tirane-edhe-dy-grupe-me-qytetare-afgane/

A2 CNN Livestream

Latest Videos