
Agjencia gjermane e inteligjencës po mban në survejim të rreptë disa elementë të lëvizjes anti-Covid, të cilët dyshohen se mund të shkaktojnë trazira në vend.
Vrojtimi është përqendruar veçanërisht në disa anëtarë të lëvizjes "Querdenker" , për të cilët, shërbimet e inteligjencës thonë se nuk përshtaten me kategoritë e mëparshme të ekstremistëve.
Agjencia BfV theksoi lidhjet që ky grupim ka me ekstremin e djathtë dhe grupet e tjera ekstremiste. Sipas tyre, protestat e ligjshme të organizuara kohët e fundit po shfrytëzoheshin për të provokuar destabilitet.
Megjithëse shumica e protestuesve nuk shihen si ekstremistë, demonstratat antiizolim të "Querdenker" kanë marrë mbështetje nga një larmi grupesh, duke përfshirë partinë e ekstremit të djathtë AfD, kundërshtarët e vaksinave dhe teoricienët e konspiracionit. (A2 Televizion)