Aksident ajror në Ukrainë, 25 oficerë dhe pilotë ndër viktimat

Nga A2 CNN
26 Shtator 2020, 09:10 | Bota

Shënohet një tragjedi ajrore në qiellin e Ukrainës. Sipas autoriteteve të vendit, një avion ushtarak Antonov An-26 me 27 persona në bord është rrëzuar në afërsi të qytetit Chuguev, në Ukrainën lindore.

Sipas burimeve, 25 persona kanë gjetur vdekjen, ndërsa dy të tjerë janë në gjendje të rëndë. Pasagjerët ishin të gjithë oficerë dhe pilotë të sapo diplomuar të ushtrisë, që po ktheheshin nga akademia ushtarake.  

Sipas dëshmive, aksidenti ndodhi kur avioni tentoi të ulej. Nuk dihen ende shkaqet e tragjedisë, por deri në këtë moment nuk flitet për rrëzim të qëllimshëm, siç u mendua në fillim duke qenë se jo larg nga ajo zonë ndodhen ende forcat separatiste pro-ruse.

Avioni Antonov 26, i ndërtuar në periudhën 1969 - 1986, ka gjithsesi një historik të errët në vitet e fundit, ku të paktën 10 mjete të tilla janë rrëzuar në botë, kryesisht për shkak të amortizimit të pajisjeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos