Policia e Tiranës ka shtuar kontrollet në kryeqytet ndaj drejtuesve të mjeteve të transportit publik, pas disa aksidenteve të njëpasnjëshme të regjistruar gjatë dy javëve të fundit, ku në një rast një autobus doli nga rruga dhe përfundoi në lumin e Lanës, duke vënë në rrezik në këtë mënyrë jetën e dhjetëra pasagjerëve.
Në këtë kuadër, gjatë 24 orëve të fundit, rëndësi e veçantë i është kushtuar kontrolleve të befasishme të drejtuesve të mjeteve të transportit publik, në linja të ndryshme të autobusëve, në kryeqytet.
Ditën e djeshme i janë nënshtruar testit të alkoolit, 15 drejtues të mjeteve të transportit publik, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe për t'iu siguruar qytetarëve, një transport sa më të sigurt.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për zbatim me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që udhëtojnë me mjete të transportit publik që të denoncojnë çdo shkelje. (A2 Televizion)