“Akt kriminal që dëshmon pasigurinë në vend”, Berisha dënon sulmin ndaj Top Channel

Nga A2 CNN
27 Mars 2023, 10:56 | Aktualitet
“Akt kriminal që dëshmon pasigurinë në vend”,

Një akt të shëmtuar kriminal e ka cilësuar kreu demokrat, Sali Berisha, sulmin me armë ndaj godinës së Top Channel ku për pasojë mbeti i vrarë roja e sigurisë. Në një postim në Facebook kreu demokrat thekson se kjo është dëshmi e dhimbshme e pasigurisë, që ekziston sot në vend.

“Një akt kriminal i shëmtuar. Sulmohet me armë zjarri Top Channel dhe ekzekutohet në kabinën e tij roja e objektit.

Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt të shëmtuar kriminal dhe i shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së viktimës, miqve, të afërmve dhe kolektivit të Top Channel.

Denoncoj këtë akt kriminal, si dëshmi tjetër e dhimbshme e pasigurisë së plotë, që ekziston sot në vend nga vendosja e rendit nga regjimi në duart e krimit”, shkruan Berisha.

Më herët, edhe Enkelejd Alibeaj dënoi sulmin ndaj Top Channel dhe tha se është një sulm ndaj medias, fjalës së lirë, por dhe ndaj sigurisë publike në vend.

“Sulmi me armë ndaj televizionit kombëtar, Top Channel dhe vrasja e rojës së sigurisë është një ngjarje e rëndë dhe akt kriminal të cilin e dënoj me forcë. Ngushëllimet e mia për familjen e punonjësit të sigurisë që humbi jetën në këtë ngjarje të rëndë. Sulmi i mbrëmshëm është një sulm ndaj medias, fjalës së lirë, por është dhe një sulm i rëndë ndaj sigurisë publike në vend.

Në emër të PD bëj thirrje organeve ligjzbatuese të zbardhin urgjentisht ngjarjen dhe autorët të vihen para drejtësisë. Mbështetje dhe solidaritet për stafin e Top Channel”, shkruan Alibeaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos