Rama sqaron deklaratën për pakicën bullgare: Nuk do t’i tregoja kurrë Maqedonisë së Veriut çfarë duhet të bëjë

Nga A2 CNN
22 Nëntor 2026, 11:04 | Politikë

Rama sqaron deklaratën për pakicën bullgare: Nuk do t’i

Tirana nuk ndërhyn në vendimmarrjen e Shkupit dhe nuk do të bëhet pengesë për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Këtë përgjigje i dha kryeministri Edi Rama gazetarit maqedonas kur u pyet në lidhje me deklaratat e tij për përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut. Rama sqaroi se deklaratën e kishte bërë në përgjigje të një televizioni bullgar, duke iu referuar mosmarrëveshjeve mes Sofjes dhe Shkupit për procesin e integrimit europian.

Gjatë konferencës së përbashkët me homologun Hristijan Mickoski në Qafë Thanë, Rama e cilësoi interesante ngjashmërinë e pyetjeve të gazetarëve në të dyja anët e kufirit, që sipas tij synojnë të rikthejnë artificialisht çështje që nuk përbëjnë problem në marrëdhëniet mes dy vendeve.

“Është shumë interesante por edhe argëtuese që pavarësisht se jemi në anën tjetër të kufirit pyetjet dhe ngacmimet dhe kapjet pas fjalëve janë fiks njësoj. Jemi njësoj. Deri tani pyetjet janë vetëm për të ngacmuar artificialisht plagë që nuk ekzistojnë. Dua të them që unë kam qenë në mënyrë të vijueshme një zë nganjëherë i lartë në mbështetje të procesit të afrimit dhe anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE. Asnjëherë nuk do ja lejoja vetes që ti tregoja qeverisë apo popullit maqedonas se çfarë duhet të bëjë. Ajo të cilës iu i referoheni është përgjigja për një televizion bullgar ku do shkoj për pak ditë në një vizitë për një pretendim të Bullgarisë ndaj Maqedonisë në një marrëveshje mes të dyja këtyre palëve. Unë kam bërë një shpjegim më të gjatë sesa fjala që u kapën mediat në Maqedoni duke thënë se sa shumë sakrifica ka bërë Maqedonia dhe ka arritur të ndryshojë emrin e prapë BE nuk ka bërë atë që ka premtuar. Pala maqedonase me të drejtë shqetësohet dhe dyshon se mund të ketë diçka tjetër në rast se hedh këtë hap për të përfshirë në kushtetute pakicën bullgare. Nga ana tjetër kam shtuar se kjo veto mund të hiqet duke plotësuar këtë kusht dhe e kam të vështirë të shoh diçka tjetër. Ne nuk bëhemi pengesë në asnjë formë për të vonuar anëtarësimin e Maqedonisë në BE. e kam për të dy gazetarët që pyetën sa mik e kanë. Nuk e di ku qëndron kontradikta mes miqësisë reciproke dhe momenteve të caktuara kur kemi nuanca në mënyrën si flasim por mes meje e Mickoski nuk ka asnjë lloj dallimi substancial për miqësinë tonë. Përkundrazi miqësia jonë më kalimin e kohës bëhet shumë më e qartë sepse themi atë që mendojmë e mendojmë atë që themi”, tha Rama.

Nga ana e tij, kryeministri Hristijan Mickoski tha se deklaratat e Ramës ishin nxjerrë jashtë kontekstit dhe se çështjet e ngritura lidhen me debate të brendshme.

“Rama e dha përgjigjen. Deklaratat nxirren nga konteksti. Janë pyetje të brendshme jemi të vetdijshëm për këtë. Ky është proces pozitiv çdo gjë ndërtohet me besim, projekt i tillë është Korridori 8, që lidh Bullgarinë, Maqedoninë dhe Shqipërinë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos