Një anije mallrash ruse, me lidhje të drejtpërdrejta me Ministrinë e Mbrojtjes në Moskë është goditur nga dronë dhe është përfshirë nga flakët në Detin Baltik, në një incident që rrit edhe më shumë tensionet pranë territorit të NATO-s. Bëhet fjalë për anijen Sparta II, 121 metra të gjatë, e cila ishte nisur nga Shën Petersburgu drejt enklavës ruse të Kaliningradit.
Sulmi ndodhi në ujëra ndërkombëtare, pranë ishullit rus Gogland. Autoritetet finlandeze dyshojnë se pas sulmit qëndron Ukraina, megjithëse Kievi nuk ka komentuar ende. 16 anëtarët e ekuipazhit u detyruan të braktisnin anijen me varka shpëtimi dhe më pas u transferuan në një anije tjetër ruse.
Siç raportohet, anija është nën sanksionet amerikane dhe i përket një kompanie që ofron shërbime logjistike për ushtrinë ruse. Finlanda nuk përjashton mundësinë që në bord të ketë pasur edhe materiale ushtarake. Situata u bë edhe më delikate gjatë operacionit të shpëtimit, kur autoritetet finlandeze dyshuan se një helikopter rus kishte shkelur për pak çaste hapësirën ajrore të Finlandës.
Në përgjigje, Helsinki vendosi kufizime të përkohshme ajrore dhe detare, ndërsa Suedia angazhoi avionë luftarakë dhe Estonia dërgoi një anije ushtarake në zonë. Kryeministri finlandez paralajmëroi se lufta po përhapet drejt territoreve fqinje. (A2 Televizion)