Pas takimit me kryeministrin e Kosovës në Tiranë, Edi Rama u rikthye të flasë edhe një herë tjetër për publikimin e aktakuzave ndaj Thaçit, Veselit dhe personave të tjerë për krime lufte.
Rama u shpreh se faktori shqipfolës duhet të jetë i njëzëshëm në këtë çështje, ndërsa kërkoi edhe që ky qëndrim të mos keqinterpretohet.
“Dëshiroj të rinënvizoj edhe njëherë atë që u përpoqa të përcjell qoftë në Kuvendin e Shqipërisë, qoftë në Prishtinë, lidhur me situatën e krijuar nga shpallja publike e një fletërrufeje në adresë të presidentit të Kosovës. Theksoj se ajo fletërrufe duhet të përbëjë një motiv shumë të fortë nxitës për të gjithë aktorët dhe faktorët politik shqipfolës kudo, për të qenë të njëzëshëm në raport me domosdoshmërinë që drejtësia të jetë e drejtë dhe që një proces gjyqësor i mundshëm, të mos deformohet duke u transformuar në një proces padrejtësie ndaj Kosovës, ndaj luftës së UÇK-së, ndaj autoriteteve të shtetit sovran të Kosovës.
Natyrisht që janë të pritshme, për fat të keq, keqinterpretimet, qoftë mes nesh, qoftë edhe në mjedisin anglisht-folës të këtij qëndrimi, duke ngatërruar thelbin. Ky qëndrim nuk ka të bëjë me ndonjë përpjekje apo tundim për të nënvlerësuar, e lërë më pastaj për të penguar një proces të drejt ligjor, por ka të bëjë me diskreditimin publik të këtij procesi përmes një shpallje mediatike të një fajësie të supozuar të kreut të shtetit të Kosovës dhe ish-kryetarit të kuvendit, së bashku me të tjerë. Në këtë pikë nuk ka si të bëhet asnjë kompromis në heshtje”, u shpreh Rama. (A2 Televizion)