Pas takimit, kryeministri Rama dhe homologu i tij nga Kosova Avdullah Hoti, dolën në një konferencë për shtyp. Rama bëri të ditur se është rënë dakord që në shtator, në Shkodër, të mbahet mbledhja e përbashkët e dy qeverive, ndërsa njoftoi edhe një nismë të re mes dy shteteve. Kryeministri tha se në nëntor është parashikuar të zhvillohet një mbledhje e përbashkët e autoriteteve vendore.
“Është kënaqësi mirëpritja për çdo kryeministër të Kosovës dhe sot për kryeministrin Hoti në Tiranë edhe pse për arsye të rrethanave të jashtëzakonshme u takuam 48 orë më parë në Prishtinë, por sidoqoftë sot kemi mundësi të flasim më në detaje në lidhje me aspektet e bashkëpunimit. Do të vazhdojmë edhe pas konferencës të diskutojmë. Jemi dakordësuar për të përcaktuar një afat të ri për mbajtjen e mbledhjes së Shkodrës mes dy qeverive, me shpresën që situata jo e lehtë lidhur me koronavirusit të na e mundësojë në gjysmën e dytë të shtatorit.
Jemi dakordësuar edhe për një event të rëndësishëm që do të zhvillohet për herë të parë mes nesh. Në Pallatin e Kongreseve në nëntor, dëshirojmë që dy qeveritë të sponsorizojnë kongresin e parë të autoriteteve vendore, i cili ne dëshirojmë të kthehet në një kongres tradicional, ku kryetarët e bashkive, së bashku me skuadrat e tyre të mund të ndajnë praktikat e mira dhe sfidat e përbashkëta në adresimin e problemeve komunitare dhe patjetër edhe potencialin e nismave të përbashkëta në fushën e mirëqeverisjes vendore”, tha Rama. (A2 Televizion)