Ndërsa pritet të zyrtarizojë kandidaturën për presidencialet amerikane të vitit 2020, Joe Biden përballet me një tjetër akuzë për ngacmim. Amy Lappos bëhet gruaja e dytë që pretendon se ish zv.presidenti e ka prekur në mënyrë pahijshme gati një dekadë më parë.

Sipas 43-vjeçares, e cila ka qenë ndihmëse e një kongresmeni demokrat, Biden i kishte vendosur duart në fytyrë duke e afruar pas vetes gjatë një eventi për mbledhje fondesh në Konektikat, në vitin 2009. Lappos kërkoi që Biden të mos garojë për president. “Nuk ishte diçka seksuale por përkujdesjet e padëshiruara nuk janë normale. Nuk është mirë t’i trajtosh gratë si objekte”, tha ajo.
Deklaratat vijnë pak kohë pasi një grua tjetër, Lucy Flores, tha se Biden e kishte puthur pas koke gjatë një aktiviteti elektoral. Flores ishte kandidatja demokrate për postin e zëvendësguvernatores së Nevadës në vitin 2014, kur ish zëvendëspresidenti i ofroi mbështetjen e tij.

Biden i mohon akuzat dhe replikoi se nuk besonte që ishte sjellë ndonjëherë në mënyrë të pahijshme. “Në shumë vite jetë publike kam ofruar shtrëngime të panumërta duarsh, përqafime, shprehje afeksioni apo mbështetje. Por asnjëherë nuk besoj të jem sjellë në mënyrë të pahijshme”, u shpreh Biden.
Ish-Senatori i shtetit Delauer, i cili ka shërbyer si zëvendës i Barak Obamës nga viti 2009 deri në vitin 2017, konsiderohet pretendent kryesor në garën për nominimin demokrat për zgjedhjet e vitit 2020. (A2 Televizion)