Akuza për dhunë seksuale pas koncerteve, nis hetimi ndaj vokalistit të Rammstein

Nga A2 CNN
15 Qershor 2023, 17:33 | Showbiz

Prokuroria e Berlinit ka nisur një hetim ndaj Till Lindemann, vokalistit të grupit gjerman Rammstein, pas pretendimeve të shumta nga disa fanse për sulme seksuale.

“Ndaj Till Lindemann janë nisur procedimet paraprake mbi akuzat në lidhje me dhunë seksuale dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike”, tha në një deklaratë një zëdhënëse e Zyrës së Prokurorisë Publike të Berlinit.

Disa gra kanë pretenduar javët e fundit se janë droguar dhe janë rekrutuar për t'u përfshirë në aktivitet seksual me 60-vjeçarin Lindemann, në festat pas koncerteve të Rammstein. Lindemann i ka mohuar akuzat, ndërsa avokatët e tij i kanë quajtur ato “të gjitha të pavërteta”. Avokatët e tij deklaruan javën e kaluar se ata “do të nisnin menjëherë veprime ligjore në përgjigje të të gjitha akuzave”.

Prokurorët e Berlinit kanë hapur hetimin me iniciativën e tyre, “në bazë të disa kallëzimeve penale të paraqitura nga palë të treta”. Asnjë informacion i mëtejshëm nuk do të jepet në këtë moment për të mos rrezikuar hetimin në vazhdim, tha zëdhënësja.

Skandali shpërtheu pasi një fanse 24-vjeçare nga Irlanda e Veriut, e quajtur Shelby Lynn, shkruajti në rrjetet sociale se ajo ishte droguar dhe i ishte ofruar seks nga Lindemann, në një festë në prapaskenë, në Vilnius të Lituanisë.

Pas akuzave të saj, ajo shkroi në Twitter: “Do të doja të sqaroja përsëri. Till NUK më preku. Ai e pranoi faktin që nuk doja të bëja seks me të. Unë kurrë nuk pretendova se ai më përdhunoi”.

Megjithatë, një valë historish të ngjashme u shfaqën përmes platformave të tilla si Twitter, Instagram dhe YouTube.

Zhurma rreth akuzave bëri që Ministrja Gjermane e Familjes, Lisa Paus, të bënte thirrje për mbrojtje më të mirë për fansat në koncerte dhe anulimin e të gjitha festave pas koncerteve të grupit Rammstein në Mynih, javën e kaluar. Edhe festat pas koncerteve në Berlin, që do të mbahen në muajin korrik, do të anulohen.

Javën e kaluar, Rammstein postoi një deklaratë në Instagram duke thënë se ata duan që fansat e tyre të ndjehen të sigurt dhe rehat në koncertet e tyre. Grupi gjithashtu u bëri thirrje fansave të mos sulmojnë Lynn ose akuzuesit e tjerë: “Ata kanë të drejtë t’i thonë gjërat në mënyrën se si i shohin. Por ne, grupi, kemi gjithashtu të drejtë të mos paragjykohemi”.

Turneu evropian i Rammstein vazhdon, me datat e ardhshme në Zvicër (17-18 qershor) dhe disa data në korrik, duke përfshirë Holandën (6), Gjermaninë (15-16), Francën (22), Austrinë (26-27) dhe Poloninë (30-31). (A2 Televizion)

https://a2news.com/2019/03/30/kete-here-kane-kaluar-cdo-kufi-rammstein-nen-akuze-per-promovimin-e-kampeve-naziste/

A2 CNN Livestream

Latest Videos