
Ministria e Shëndetësisë reagoi menjëherë pas e-mailit të publikuar nga zyrtari i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, sipas të cilit me anë të tij konfirmohet se në këtë institucion ka rënë një zjarr dhe pikërisht në zyrën e Prokurimeve për të djegur dokumentat e tenderave sekrete.
Përmes një deklarate për shtyp, MSH i konsideroi qesharake akuzat e opozitës dhe shtoi se e-maili që publikoi PD është thjesht për “tërheqje vëmendje” ndaj një punonjësje, ndaj së cilës është marrë masë administrative.
“Zbulimi” i bërë sot nga PD i referohet një emaili "tërheqje vëmendje" të para 26 ditëve, nga përgjegjësja për sigurinë në ministri, e cila i është drejtuar stafit pas një incidenti të shkaktuar nga një punonjëse, ndaj së cilës më pas është marrë masë administrative. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale hedh poshtë aludimet dhe shpifjet e PD-së, që kërkon të manipulojë opinionin me histori djegie letrash në korridore, kur e di i madh e i vogël se çdo dokument zyrtar ruhet në Protokollin e Ministrisë dhe të çdo institucioni”, shkruhet në njoftim.
Ministria e Shëndetësisë më tej shton se është e hapur për çdo hetim nga organet e drejtësisë dhe i bën thirrje PD-së që të ndalë fushatën e shpifjeve. (A2 Televizion)