Përmes Taulant Ballës, Partia Socialiste i ktheu përgjigje negative kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkon të dalë përkohësisht nga qelitë e paraburgimit në Fier për të marrë pjesë në asamblenë e thirrur nga Edi Rama këtë fundjavë.
“Çështjet e çdo përfaqësuesi të zgjedhur të Partisë Socialiste, në të gjitha nivelet, në marrëdhënie me drejtësinë janë çështje individuale. As Partia Socialiste, as Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, as Kryesia e Partisë Socialiste dhe as organizata socialiste nuk janë mburojë për askënd në përballjen me drejtësinë. Në këtë këndvështrim, unë e kam thënë se Erion Veliajn e kam mik, por në përballjen me drejtësinë duhet ta bëjë vetë, pa përfshirë në asnjë moment grushtin dhe trëndafilin e Partisë Socialiste”, u shpreh Balla, përcjell A2 CNN.
Miqësinë me të cilën i referohet Veliajt, Balla e tregoi edhe kur u pyet për afatet e paraburgimit të kryebashkiakut të Tiranës.
“Sa i përket kohëzgjatjes së paraburgimit, në vlerësimin tim, jemi në këto kushte për shkak të një nonsensi të krijuar, në shkelje të parimeve bazë të të drejtave të njeriut. Sa kohë që një çështje ka shkuar në gjykim, mbajtja në paraburgim, jo e zotit Veliaj, por e kujtdo tjetër, në vlerësimin tim, është shkelje e parimeve themelore dhe madje edhe e vendimeve të njëpasnjëshme të Gjykatës Europiane”, deklaroi ai.
I pyetur nëse të njëjtën qasje do të kishte edhe për deputeten socialiste Sara Mila, e thirrur në SPAK në kuadër të hetimeve për krime zgjedhore, Balla nuk pranoi të bënte paralelizma. “Zonja deputete është thirrur në cilësinë e personit që ka dijeni. Nuk është thirrur si një person që po hetohet për një çështje”, tha Balla.
PS-ja do të zhvillojë të shtunën Asamblenë Kombëtare, një zhvillim që vjen pas letrave të Veliajt nga qelia, por edhe pas dekretit për zgjedhjet vendore. (A2 Televizion)