Akuzat për tenderat sekretë, Ministria e Shëndetësisë: Asgjë nuk është fshehur

Nga A2 CNN
10 Maj 2020, 10:57 | Aktualitet

Pas akuzave të publikuara në ditët e fundit nga opozita dhe përfaqësues të organizatave civile në lidhje me tenderat sekretë nga Ministria e Shëndetësisë gjatë situatës së pandemisë, vjen dhe reagimi i këtij institucioni.

Përmes një komunikate për shtyp, Ministria e Shëndetësisë njofton se është e hapur ndaj çdo hetimi nga organet e drejtësisë dhe se ka dërguar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të gjithë dokumentacionin e kërkuara.

“Siç e kemi deklaruar nga dita e parë, jemi të hapur për hetime nga organet e drejtësisë. E vërteta është se asgjë nuk është fshehur dhe dosjet janë në dritën e diellit. Që prej datës 27 Prill, në Ministrinë e Shëndetësisë po vijon punën Kontrolli i Lartë i Shtetit, për të gjitha procedurat e zhvilluara në situatën e pandemisë, për mjetet e nevojshme për mbrojtjen e stafeve mjekësore dhe aparaturat jetëshpëtuese për pacientët e prekur nga COVID-19. Stafi i Ministrisë së Shëndetësisë ka dorëzuar të gjithë dokumentacionin që i është vënë në dispozicion Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe të njëjtën gjë po bën edhe me SPAK”, thuhet në njoftim.

Ministria e Shëndetësisë shpreh edhe një herë gatishmërinë për bashkëpunim me organet e drejtësisë, duke i vënë në dispozicion dokumentacionin e plotë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos