Universitetet kërkojnë jo vetëm më shumë buxhet dhe rritje pagash për pedagogët, por edhe rishikimin e ligjit të arsimit të lartë. Pas tre javësh protestë të studentëve dhe kur ka nisur diskutimi për buxhetin e vitit të ardhshëm, krerët e shkollave të larta kërkojnë autonomi të vërtetë financiare, shkruan A2 CNN. Sipas tyre, nuk duhet të ketë më ndarje të veprimtarisë akademike nga ajo e menaxhimit të financave.
“Akademia i merr të gjitha përgjegjësitë, financa po ashtu të vetat. Por konflikt institucional nuk krijohet, nuk krijohen problematikat midis senateve dhe bordeve të administrimit. Ne kemi propozuar edhe reduktimin e numrit të tyre, për t'u organizuar më mirë, me idenë që institucionet e arsimit të lartë të mbajnë shumicën në të gjitha institucionet, pavarësisht nga financimi, sepse përgjegjësia e administrimit është e vetë institucionit publik të arsimit të lartë dhe shteti është dytësor”, thotë për A2 CNN Artan Hoxha, kreu i Konferencës së Rektorëve.
“Që kur është formuar shoqëria njerëzore, nuk kemi institucion me dy koka, sepse vendimmarrja është piramidale. Në qoftë se këta dy persona merren vesh, titullari është marrëveshja. Në qoftë se këta të dy nuk merren vesh, atëherë gjëja shkon drejt prishjes së institucionit”, thotë Akli Fundo, Rektor i Universitetit Politeknik.
Artan Hoxha, kreu i Konferencës së Rektorëve, thotë se ka ardhur koha për rishikimin e pagave të stafit akademik dhe për një organizim më të mirë të arsimit të lartë.
“Në Shqipëri ka më shumë institucione të arsimit të lartë sesa janë nevojat e vendit. Ne sot kemi rreth 40 institucione të arsimit të lartë dhe ato duhet të riorganizohen, në mënyrë që të mos kemi një numër të tillë. Duhet të specializohen. Ne kemi institucione në Tiranë, kemi institucione në rrethe. Nuk bëhet fjalë për mbylljen e institucioneve, por për riorganizimin e tyre dhe përqendrimin në institucione të tjera të arsimit të lartë, me të cilat rritet, si të thuash, kapaciteti institucional”, tha ai.
Një tjetër pikë që përfaqësuesit e institucioneve të arsimit të lartë do të kërkojnë të ndryshojnë përmes reformës së re është zgjatja e mandateve të strukturave drejtuese nga dy në tre mandate radhazi. (A2 Televizion)