
Sali Berisha kërkon hetim ndërkombëtar për veprimtarinë e muxhahedinëve të strehuar në kampin Ashraf 3 në Manzë. Para mbledhjes me deputetët demokrat që e mbështesin, Berisha tha se dhe aktet e Policisë së Shtetit gjatë kontrolleve në kamp meritojnë të njëjtin hetim.
“Një hetim ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë një hetim nga OKB që i ka në mbikëqyrje. Gjithashtu, autorët e dhunës duhet të dalin përpara gjyqit”, tha Berisha.
Duke cituar një deklaratë të Departamentit Amerikan të Shtetit, ai tha se hetimi duhet të zbulojë nëse brenda kampit janë shkelur të drejtat e njeriut dhe a janë kryer krimet kundër anëtarëve të MEK.
“Edhe kjo duhet të jetë pjesë e hetimit të OKB-së. Nuk mund të përdoret kampi i strehimit për të dhunuar të drejtat e njerëzve të komunitetit”, shtoi Berisha.
Duke treguar detaje nga marrëveshja e negociuar gjatë kohës kur ishte kryeministër, shpjegoi se ka qenë kundër ngritjes së një kampi.
“Gjatë periudhës që negociuam dhe i sollëm, nuk parashikohej ngritje e një kampi. Alternativa jonë ishte marrja me qira e banesave në zona të ndryshme të Tiranës dhe natyrisht asistenca për jetën e tyre normale si mysafirë që do ishin”, u shpreh ish-kryeministri.
Lidhur me akuzat për veprimtari politike të anëtarëve të MEK, Berisha konfirmoi se kjo dihej se do të ndodhte, por tregoi çfarë aktiviteti ka refuzuar gjatë negocimit.
“Ata e kishin pasur këtë etiketën si grup terrorist dhe ne nuk mund të pranonim akte, veprime të armatosura, të nisura nga territori i Shqipërisë, të kryheshin nga grupi i muxhahedinëve të popullit”, përfundoi Berisha.
Berisha pranoi që mund të jetë shkelur kontrata nga muxhahedinët, duke iu referuar vendimit të gjykatës për kontrollet brenda kampit. (A2 Televizion)