
Pas aksionit të Policisë së Shtetit në kampin “Ashraf 3” në Manzë të Durrësit që shkaktoi tensione dhe përplasje mes muxhahedinëve dhe forcave të rendit, autoritetet shqiptare morën mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, aleati strategjik që kërkoi strehimin e këtij grupimi në vendin tonë.
Ambasadorja amerikane, Yuri Kim, kur u pyet për aksionin, nënvizoi të drejtën e Shqipërisë për të garantuar zbatimin e ligjit.
“Një gjë është e qartë. Ne mbështesim të drejtën e Shqipërisë për të zbatuar ligjet e saj në vendin e saj. Ka gjithashtu terma të caktuara që duhet të zbatohen për çdo lloj mysafiri në vendin tuaj dhe këto duhet të zbatohen prej tyre”, tha Kim.
Sa i përket mundësisë së rishikimit të marrëveshjes me muxhahedinët iranianë, ambasadorja amerikane e la të hapur këtë mundësi.
“Mendoj se është një vendim që duhet ta marrë qeveria shqiptare”, nënvizoi ajo.
Më herët, Departamenti Amerikan i Shtetit, përmes një zëdhënësi të cituar nga Radio Evropa e Lirë, e mbështeti aksionin e Policisë shqiptare.
“Policia e Shtetit në Shqipëri na ka siguruar se të gjitha veprimet janë kryer në përputhje me ligjet në fuqi, përfshirë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të gjithë personave në Shqipëri. Ne mbështesim të drejtën e Qeverisë së Shqipërisë për të hetuar çdo veprimtari të mundshme të paligjshme brenda territorit të saj”, thotë zëdhënësi i DASH, i prononcuar për REL.
Sipas të njëjtit zëdhënës të cituar nga REL, SHBA-ja nuk e cilëson MEK-un “lëvizje opozitare të qëndrueshme demokratike që përfaqëson popullin iranian”, por ka “shqetësime serioze për MEK-un si organizatë, përfshirë akuzat për abuzim të kryera kundër anëtarëve të tij”. (A2 Televizion)