Akuzat për dhomën e përgjimeve, Kurti i përgjigjet Thaçit: Janë gënjeshtra dhe shpifje

Nga A2 CNN
28 Maj 2020, 16:15 | Kosova
Akuzat për dhomën e përgjimeve, Kurti i përgjigjet

Nuk kanë të mbaruar replikat mes kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit Hashim Thaçi.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje e quajti gënjeshtër dhe shpifje akuzën e kreut të shtetit, se ishte futur bashkë me ministrin e Brendshëm në detyrë në dhomën e përgjimeve të postës. Kundërpërgjigjja e shefit të qeverisë erdhi pas një takimi me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Ato janë gënjeshtra dhe shpifje. Problemi me gënjeshtarët është se nuk mund të gënjejnë njëherë. Të gjitha ato shpifje nuk duhet të jenë vetëm pyetje për mua, por edhe për prokurorin e shtetit dhe presidentin. Ata po i shkruajnë dëshirat e tyre si fakte, pasi kanë dëshirë të hyjnë në dhomën e përgjimeve dhe të uzurpojnë karrigen e kryeministrit”, u shpreh Albin Kurti, kryeministër në detyrë i Kosovës

Kurti diskutoi me Ahmetin lidhur me pandeminë koronavirus dhe për mënyrat e rikthimit gradual në atë që po cilësohet si normalitet i ri. E duke qëndruar te kjo çështje, janë rihapur të gjitha xhamitë dhe kishat në territorin e Kosovës.

Megjithatë, besimtarët duhet të respektojnë masa strikte, si ruajtja e distancimit fizik dhe mbajtja e maskës mbrojtëse. Në Kosovë qeveria po lejon dhe grumbullim e shumë personave, gjë e cila do të bëhet nga Lëvizja Vetëvendosje që ka organizuar një protestë testuese me rreth 5 mijë pjesëmarrës.

Kurti tha për këtë organizim se nuk ka kohë të merret me përgatitje të tilla pasi si kryeministër po merret me menaxhimin e pandemisë.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos