
Negociatat e ndërmjetësuara nga BE, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës pritet të nisin në korrik, pas një pezullimi gati dyvjeçar.
Lajmin e dha i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun, Mirosllav Lajcak. Pas një takimi të zhvilluar me presidentin serb, Aleksandër Vucic, partia e të cilit fitoi bindshëm zgjedhjet e përgjithshme të së dielës, Lajcak tha se çdo marrëveshje e arritur mes palëve, duhet të jetë e pranueshme si për rajonin ashtu edhe Brukselin.
Diplomati theksoi se e ardhmja europiane e Serbisë lidhet me zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Ndërkaq, Vucic u shpreh se Serbia pret vazhdimin e dialogut me Kosovën sa më shpejt që të jetë e mundur, por se i takonte Brukselit të caktonte një datë.
Ai vlerësoi gjithashtu përpjekjet e të dërguarit të Shteteve të Bashkuara për bisedimet, Richard Grenell. (A2 Televizion)