
Ishte një debat i ashpër ai mes partive të koalicionit qeverisës dhe partive të opozitës në Kosovë, lidhur me procesin e bisedimeve me Serbinë. Debatet ishin pjesë e një interpelance të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, të thirrur nga lëvizja Vetëvendosje për heqjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë dhe një raportimi të kryeministrit rreth takimit të 27 qershorit të organizuar nga i dërguari i posaçëm amerikan Richard Grenell.
Hoti mbrojti vendimin e heqjes së barrierave tarifore dhe përsëriti edhe një herë se do të jetë ai që do ta drejtojë dialogun. Avdullah Hoti
“Ky momentum i ri ndërkombëtar BE-SHBA i cili ka për qëllim të prodhojë një projekt përfundimtar normalizimi dhe paqeje përmes njohjes reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë, duhet ta pranojmë, vjen për Kosovën në një kohë kur grupime politike populiste jo që vetëm nuk patën guximin që të marrin përgjegjësinë politike e kombëtare për t’i dalur në mbrojtje subjektivitetit dhe sovranitetit së Republikës së Kosovës por i rrezikuan ato përmes barrikadave dhe humbjes së miqve”.
Por për kryetaren e Parlamentit, Vjosa Osmani, vendimi për heqjen e masave të reciprocitetit ishte i dëmshëm për vendin.
“Për mua mbetet e pakuptueshme dhe mbi të gjitha e dëmshme për pozicionin e Kosovës në dialog në qoftë se reciprociteti quhet pengesë e aq më tepër nga një kryeministër i vendit që duhet ta përfaqësoj Kosovën në atë tavolinë. Sepse parimi i barazisë pra i reciprocitetit është parim që i ka paraprirë shtet-krijimit të Republikës së Kosovës”, tha ajo.
Liburn Aliu, nga lëvizja Vetëvendosje kritikoi kryeministrin Hoti për, siç tha, nënshtrimin e tij para presidentit Hashim Thaçi dhe se sipas tij në bisedime duhet të shkohet me reciprocitet dhe pa heqjen dorë nga përpjekjet për anëtarësim nëpër organizata ndërkombëtare. (A2 Televizion)