Akuzat për trafik organesh, PS kërkon që Këshilli i Europës të ndryshojë raportin

Nga A2 CNN
20 Korrik 2022, 18:35 | Politikë
Akuzat për trafik organesh, PS kërkon që Këshilli i

Dy projektrezoluta të demokratëve ku kërkohet dënimi i gjenocidit serb në Kosovë, vijojnë të mbahen të bllokuara në sirtarët e Kuvendit. Të enjten në seancë plenare socialistët do të paraqesin draftin e vet, ku nuk flasin për gjenocide, por hidhen poshtë si të pabazuara pretendimet për trafik organesh në Shqipëri dhe Kosovë gjatë luftës, që më pas u bënë pjesë e një qëndrimi edhe të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

“Janë kryer verifikimet dhe institucionalizojmë faktet e konstatuara dhe kërkojmë një raport dhe rezolutë të re, rishikim të pretendimeve që sot nuk ekzistojnë më”, tha kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Përballë injorimit të dy projektrezolutave të demokratëve, Enkelejd Alibeaj paraqiti një amendament ku kërkon të shtohet dënimi i gjenocidit serb. “Duke konstatuar se Republika e Serbisë po mundohet t’i shmanget përgjegjësisë, duke u fshehur pas sajesave, të cilat kërkojnë të paraqesin para botës viktimën për agresor, Kuvendi i Shqipërisë dënon gjenocidin, spastrimin etnik dhe masakrat e kryera nga ushtria serbe me urdhër të Sllobodan Millosheviçit mbi civilët e pafajshëm të Kosovës”.

Refuzimi iu bë i qartë paraprakisht pasi PS nuk pranon ndryshimin e draftit të saj. “Gjuha në një dokument të tillë është edhe e karakterit diplomatik, besoj nuk ka nevojë më për asnjë presje”, tha Balla.

Por pavarësisht këtij refuzimi, ai kërkoi bashkëpunim me opozitës sa i përket procesit të negociatave, për të cilin tha se duhet një qasje të re edhe e parlamentit. “Gjithçka kërkojmë ta kryejmë në bashkëpunim me opozitën parlamentare, gjithëpërfshirja në këtë proces është thelbësore”, tha Balla. “Një pjesë e legjislacionit kërkon shumicë të cilësuar që nuk e kemi”.

I pyetur pse opozita nuk u bë pjesë e delegacionit shqiptar që u ul në tryezën e negociatave në Bruksel, kur i kërkohet bashkëpunim në Shqipëri, Balla shpjegoi se përballë kolegjit të komisionerëve qëndron qeveria. Sipas tij do të ketë shumë mundësi për bashkëpunim, por jo me elemente të opozitës për të cilët thotë se i kanë shpallur luftë aleatëve të Shqipërisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos